Prokurorët diskutojnë trajtimin e rasteve të dhunës në familje dhe korrupsionit

Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, ka mbajtur kolegjiumin me kryeprokurorët dhe përfaqësuesit e prokurorive të vendit, në të cilin kanë marrë pjesë edhe prokurorët e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit dhe përfaqësuesi i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë.

Temë qendrore e diskutimeve të këtij takimi ishte trajtimi i rasteve të dhunës në familje, ku u potencuan sfidat dhe angazhimi i prokurorëve në trajtimin e  rasteve që kanë të bëjnë me veprat penale kundër dhunës në familje dhe korrupsionit.

Në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit dhe nëpër të gjitha Prokuroritë Themelore, për rastet e dhunës në familje, janë të caktuar koordinatorë nga radhët e prokurorëve, të cilët merren ekskluzivisht me këto raste dhe të cilët vazhdojnë me përkushtim dhe me urgjencë të trajtojnë të gjitha rastet që ndërlidhen me veprat penale kundër dhunës në familje, megjithatë, pas diskutimeve të përbashkëta, e me qëllim të parandalimit dhe luftimit të kryerjes së këtyre veprave penale u nxorën edhe konkluzionet që prokurorët e shtetit, në secilin rast ku ka bazë ligjore, të kërkojnë caktimin e paraburgimit për rastet e dhunës në familje dhe armëmbajtjeve pa leje, si dhe të zbatojnë në mënyrë strikte udhëzuesin për politikë ndëshkimore, ndërsa më qëllim të realizimit të mandatit të Prokurorit të Shtetit për hetimin e këtyre veprave penale, Institucioneve tjera tu adresohen kërkesat për:

Rritjen e buxhetit për shtimin e numrit të mbrojtësve të viktimave;

Rritjen e buxhetit për shtimin e strehimoreve për vendosjen e viktimave

Rritjen e kapaciteteve në Agjencinë për Forenzikë të Kosovës, si dhe

Rritjen e kapaciteteve të Institutit për Forenzikë Psikiatrike

Po ashtu gjatë këtij takimi u diskutua edhe për rastet e korrupsionit, për të cilat raste Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, z. Besim Kelmendi, kërkoi rritje të efikasitetit.

Ndër të tjera gjatë këtij takimi u diskutua edhe për funksionalizimin e Zyrës për  Rikthim të Aseteve, për planin për procedurat standarde të veprimit, si dhe u elaboruan të gjitha çështjet që bien në kompetencë të kësaj zyre. /Kosova.info/

Go to TOP