Profesori japonez ligjëron në Universitetin Veror, jep porosi për studentët
Profesori i Universitetit Kobe të Japonisë, Tosh Minohara, mori pjesë për herë të parë në Universitetin Ndërkombëtar Veror të Prishtinës. Gjatë ligjëratës me studentët, ai shprehu mirënjohjen dhe vlerësimin e tij për njerëzit dhe Kosovën në përgjithësi.
“Mendoj se ishte fantastike të mësoje studentë nga e gjithë bota dhe të ndërveproje me profesorë nga vende të tjera. Pra, po, ky është një program i shkëlqyer. Më vjen mirë që munda të merrja pjesë,” thotë profesori Minohara për Universitetin Ndërkombëtar Veror.
Ai ka ndarë porosi nga kultura japoneze për studentët, duke përfshirë qëllimet që duhet t’i kenë për vendin e tyre, si dhe përpikërinë kohore si vlerë.
“Më pëlqen gjithçka. Njerëzit janë të gëzuar dhe shumë miqësorë. Kjo pjesë më pëlqen. Më pëlqente të ndërveproja me njerëzit e Kosovës. Gjithashtu, pamja e fshatrave. Shkova në shumë qytete të ndryshme, që ishte e këndshme,” shton Minohara.
Ndërkaq, profesori i Fakultetit Filozofik, Sabri Kiçmari, bashkëligjërues me profesorin japonez në këtë ligjëratë, vlerësoi leksionet e dhëna.
“Është një formë shumë e mirë e ndërveprimit ndërmjet kulturave, shoqërive dhe shteteve të ndryshme. Besoj se ishte një gjë interesante jo vetëm për studentët, po edhe për ne që dhamë mësim. Mund të vazhdohet edhe në të ardhmen në këtë formë të organizimit të ligjëratave,” thotë Kiçmari. /Kosova.info/
