Prevot: Kosova të formojë institucionet dhe të vazhdojë rrugën drejt BE-së
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Belgjikës, Maxime Prevot, pas zgjedhjeve në Kosovë ka theksuar nevojën për bashkëpunim politik dhe formim të shpejtë të institucioneve.
“Kosova ka votuar. Tani u takon liderëve politikë të nderojnë këtë zgjedhje duke punuar së bashku dhe duke i dhënë fund bllokadës aktuale politike. Asnjë parti nuk mund të qeverisë e vetme. Ndërtimi i një koalicioni dhe formimi i institucioneve stabile sa më shpejt duhet të jetë prioritet,” ka deklaruar Prevot.
Ai ka theksuar se rruga e Kosovës drejt BE-së duhet të vazhdojë, së bashku me dialogun me Serbinë dhe reformat.
“Rruga përpara është e qartë: avancimi në rrugën evropiane të Kosovës, rifillimi i dialogut Beograd–Prishtinë dhe vazhdimi i reformave që do ta afrojnë Kosovën më pranë BE-së,” ka thënë ai.
Prevot ka rikonfirmuar mbështetjen e Belgjikës për Kosovën.
“Belgjika mbetet një mbështetëse e qëndrueshme e perspektivës evropiane të Kosovës,” ka deklaruar ai.
