Prestreshi: VV pas konsumimit të propozimit të parë, mund të mos kandidoj askënd
Aktivisti Valon Prestreshi ka analizuar skenarët e mundshëm pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila përcakton se partia fituese e zgjedhjeve duhet të propozojë dhe të zgjedhë Kryetarin e Kuvendit brenda 30 ditësh nga konstituivi i tij.
Sipas Prestreshit, me mbajtjen e seancave çdo 48 orë, në këtë periudhë mund të zhvillohen deri në 15 seanca plenare. Procedura lejon që i njëjti kandidat të vihet në votim deri në tre herë, dhe pas dështimit të tij, të propozohet kandidat tjetër. Kjo, sipas tij, teorikisht mund të sjellë deri në pesë kandidatura të ndryshme duke “djegur” politikisht deri në pesë deputetë të pozitës.
Ai shton se ekziston edhe një hapësirë taktike që Vetëvendosje mund të përdorë: nëse pas dështimit të kandidatit të parë në tri votime, partia fituese vendos të mos propozojë më asnjë kandidat, krijohet një situatë e paqartë ligjore. Prestreshi thekson se, ndonëse Kushtetuesja ka sanksionuar detyrimin për propozim dhe zgjedhje, nuk ka sqaruar se çfarë ndodh nëse kjo e drejtë nuk ushtrohet me vetëdije pas një dështimi fillestar.
Në një rast të tillë, Prestreshi vlerëson se çështja do të duhej t’i rikthehej Gjykatës Kushtetuese për interpretim, pasi në aktgjykimin ekzistues ekziston një boshllëk i dukshëm. /Kosova.info/
