Prestreshi: LDK-ja nuk polarizon, synon bashkimin dhe luftën kundër korrupsionit
Aktivisti politik Valon Prestreshi ka reaguar ndaj, sipas tij, sulmeve të ministrave të Qeverisë Kurti kundër kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku. Prestreshi deklaroi se këto sulme tregojnë përpjekjen e Qeverisë për të gjetur një armik politik, por theksoi se LDK-ja dhe Abdixhiku nuk polarizojnë, nuk përçajnë dhe nuk linçojnë askënd.
Sipas tij, LDK-ja është e popullit dhe për popullin, duke ndjekur modelin e bashkimit kombëtar të presidentit historik Ibrahim Rugova. Prestreshi theksoi se armiku i vërtetë i LDK-së janë korrupsioni, kontratat njëburimore, shkeljet e kushtetutës dhe keqpërdorimet e rezervave shtetërore e granteve.
“LDK-ja do të eliminojë gjuhën përçarëse dhe do të afrojë popullin shqiptar, duke e bashkuar sikurse bëri Rugova. Prioritetet tona janë lufta kundër korrupsionit dhe rikthimi i raporteve të forta me partnerët ndërkombëtarë, sidomos me SHBA-në,” tha Prestreshi.
Ai gjithashtu përmendi rezultatin e zgjedhjeve lokale në kryeqytet, ku LDK-ja arriti 42% të votave, duke e cilësuar këtë mbështetje si dëshmi të qartë të besimit të qytetarëve.
Në përfundim, Prestreshi ftoi të gjithë aktivistët e pakënaqur të LVV-së që t’i bashkohen një takimi që do të mbahet sonte në shkollën fillore “Gjergj Fishta” në ora 18:00, ku, sipas tij, qytetarët do të mund të shohin nga afër arsyet e mbështetjes së madhe për LDK-në. /Kosova.info/
