Presidentja niset në një udhëtim të largët nga Brukseli

Pas pjesëmarrjes në ditën e parë të Samitit BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel, Presidentja Vjosa Osmani ka udhëtuar për vizitë pune në Tajlandë dhe Singapor.

Lajmi e ka bërë të Presidenca përmes një komunikate drejtuar mediave, ku thuhet se Osmani do të takohet me përfaqësues të lartë shtetëror.

“Kjo është vizita e parë e një kreu të shtetit të Kosovës në këto dy shtete të Azisë Juglindore. Gjatë qëndrimit në Tajlandë, Presidentja Osmani do të pritet nga kryeministri i Tajlandës Prayut Chan-o-cha. Kurse në Samitin “Global Summit of Ëomen”, Presidentja Osmani do të flasë për rolin dhe potencialin e grave në realitetin e ri.

Presidentja Osmani, gjithashtu do të marrë pjesë edhe në një forum ekonomik të organizuar nga Këshilli Diplomatik dhe Oda Ekonomike e Tajlandës ku do të diskutohen mundësitë e tërheqjes së investitorëve nga ky shtet, por edhe mundësive ekonomike që i ofron Kosova”, thuhet në komunikatën e Presidencës.

Presidenca ka njoftuar edhe për agjendën e Osmanit në Singapor.

“Pas vizitës në Tajlandë, Presidentja Osmani do ta vazhdojë vizitën në Singapor, ku pritet të takohet me homologen e saj, Presidenten Halimah Yacob, kryetarin e Parlamentit z.Tan Chuan-Jin, ministren e Lartë të Shtetit për Zhvillim Kombëtar dhe Punë të Jashtme, znj. Sim Ann dhe me Ministrin e Lartë të Shtetit, dr. Mohamad Maliki Bin Osman”, thuhet në komunikatë.

Ndryshe, sot në Bruksel do të vazhdojë dita e dytë e Samitit BE-Ballkani Perëndimor.

Sipas agjendës, nga ora 9:00 pritet që pjesëmarrësit të arrijnë, derisa një orë më pa do të fillojë një sesion pune.

Më pas është e planifikuar një konferencë e përbashkët për shtyp nga Presidenti Michel, Presidentja Von der Leyen dhe Presidenti Macron.

Udhëheqësit do të zhvillojnë një diskutim strategjik se si të përforcojnë marrëdhëniet e BE-së me partnerët e tyre, duke përfshirë mënyrën se si të nxitet dialogu politik dhe të forcohet siguria, stabiliteti dhe prosperiteti i kontinentit europian.

Më vonë temë diskutimi do të jetë Ukraina. Udhëheqësit e BE-së do të diskutojnë zhvillimet e fundit në lidhje me luftën e Rusisë kundër Ukrainës, përfshirë ndikimin e saj në krizën globale të sigurisë ushqimore, si dhe mbështetjen ushtarake, politike dhe humanitare që planifikohet t’i jepet Ukrainës.

Rezultati i ditës së parë të samitit të djeshëm shkaktoi sërish zhgënjim te vendet e Ballkanit Perëndimor meqë nuk u dha asgjë konkrete për liberalizimin e vizave për Kosovën apo hapjen e negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Zëdhënësi i Këshillit Europian, Barend Leyts, ka treguar se cilat janë përfundimet për Ballkanin Perëndimor të nxjerra nga Samiti i BE-së, ku për Kosovën përmendet vetëm përparimi në dialog ndërsa nuk përmendet liberalizimin e vizave.

Në pikat e nxjerra në përfundime, për Kosovën flitet vetëm për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me Serbinë dhe përparimin në dialog. Në këto pika nuk flitet për heqjen e vizave.

“Këshilli Europian riafirmon urgjencën e të bërit përparim të qartë në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të mëdha bilaterale dhe regjionale, veçanërisht dialogun Prishtinë-Beograd për normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës”, thuhet në pikën 19.

Go to TOP