Gërvalla: Kosova fiton shtëpinë e saj të përhershme në Londër, flamuri shtetëror do të valojë përgjithmonë
Ushtruesja e detyrës së zëvendëskryeministres dhe ministres së drejtësisë, Donika Gërvalla, ka njoftuar se Republika e Kosovës tashmë ka siguruar një objekt të përhershëm në Londër duke e cilësuar këtë si një moment të rëndësishëm për diplomacinë dhe subjektivitetin ndërkombëtar të shtetit.
Përmes një postimi, Gërvalla u shpreh e lumtur që flamuri i Republikës së Kosovës do të valojë përgjithmonë mbi një pronë që i përket shtetit të Kosovës në kryeqytetin britanik duke e konsideruar këtë një dëshmi të pjekurisë shtetërore dhe të avancimit të vazhdueshëm të Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Sipas saj, shtëpia e re e Kosovës në Londër simbolizon qëndrueshmërinë e Republikës, partneritetin e fuqishëm me Britaninë dhe përkushtimin për t’u shërbyer qytetarëve të Kosovës dhe mërgatës shqiptare në Britani.
Ajo theksoi se në këtë objekt do të vazhdojë të forcohet miqësia e veçantë ndërmjet dy vendeve, ndërsa falënderoi të gjithë ata që kontribuuan në realizimin e këtij projekti.
Objekti i ri i Republikës së Kosovës ndodhet në adresën 9 Orme Court, London W2 4RL, United Kingdom. /Kosova.info/
