Premiera e `Carmen` në Prishtinë
Opera ikonike “Carmen” e kompozitorit francez Georges Bizet do të prezantohet në Prishtinë nga Institucioni i Operës së Kosovës. Ky është një moment historik, jo vetëm për institucionin, por edhe për gjithë jetën kulturore në vend, duke shënuar një etapë të re në zhvillimin artistik në fushën e muzikës klasike.
“Carmen”, e adaptuar nga novela e Prosper Mérimée, është një nga veprat më ikonike të muzikës klasike dhe të realizmit në operë, dhe mbetet një nga kryeveprat më të interpretuara në mbarë botën. Kjo vepër do të prezantohet edhe në Prishtinë më 22 korrik.
Drejtori i Operës së Kosovës, Meriton Ferizi, tha se institucioni i operës po sjell një nga veprat më të famshme të repertorit operistik botëror, pikërisht në 20-vjetorin e realizimit të saj për herë të parë në Kosovë.
Opera “Carmen” vjen në Kosovë si bashkëpunim mes Operës, Filarmonisë dhe Baletit të Kosovës, dhe në skenë do të jenë të angazhuar rreth 200 artistë.
