Zëvendësja e Avokatit të Popullit kërkon hetime për shkak të SMS-ve të MPB

Gjashtë ditë para skadimit të afatit dy mujor për (ri)regjistrim të veturave me tabela të lëshuara nga Serbia, të caktuar nga qeveria e Kosovës, d.m.th. dje, disa përdorues të rrjetit mobil IPKO kanë pranuar një SMS me përmbajtjen:

“Regjistroni automjetet tuaja në RKS, me përfitime financiare dhe procedurale deri më 31 tetor 2022. Kudo, pavarësisht nga vendbanimi juaj. 0800 GO-RKS”.
Zëvendësja e Avokatit të Popullit në Kosovë, Marija Radulloviq, ka thënë për portalin serb KoSSev se për dërgimin e mesazheve SMS në lidhje me riregjistrimin është informuar nga mediat, por edhe se tashmë ka ndërmarrë hapin e parë “në kuadër të kompetencave të saj”.

“Menjëherë, në përputhje me kompetencat e mia, këtë ia kam përcjellë Avokatit të Popullit dhe kam kërkuar hapjen e hetimeve sipas detyrës zyrtare, sepse besoj se ka hapësirë ​​për hetime, përkatësisht për të parë se për çfarë bëhet fjalë”, ka thënë Radulloviq.

Ajo ka theksuar se hapi i ardhshëm në punën e këtij institucioni varet nga Avokati i Popullit.

“Për atë se a do të hapen hetimet apo jo, vendos Avokati i Popullit”, shtoi ajo.

Zëvendësja e Avokatit të Popullit specifikoi se hetimet e tilla, si hap i parë, duhet të përcaktojnë nëse mesazhet SMS vërtetë janë dërguar nga MPB-ja e Kosovës apo jo.

“Nëse vërtetohet se janë dërguar nga ata, atëherë duhet të dëgjojmë palën – Ministrinë e Punëve të Brendshme të Kosovës – që t’i pyesim se kujt i janë dërguar, mbi çfarë baze, çfarë lloj përzgjedhjeje, nëse mesazhet janë dërguar vetëm serbëve apo jo, kush iu ka dhënë numrat”, ka theksuar Radulloviq.

Zëvendësja e Avokatit të Popullit ka thënë se ajo personalisht beson se “ka hapësirë ​​për hapjen e hetimeve”.

“Unë besoj se ka shkelje të mundshme të të drejtave të njeriut. Nuk mund të them se kjo është shkelje (e të drejtave të njeriut), por duhet të hapen hetimet që në fund do ta konstatojnë këtë”, ka shpjeguar Radulloviq.

Dërgimi i SMS-ve për përdoruesit e rrjetit IPKO vjen para skadimit të afatit dy mujor të caktuar nga qeveria e Kosovës për riregjistrimin e automjeteve me targa RKS të qyteteve serbe në Kosovë.

Go to TOP