Hovenier: Kosova në Ballkanin e Hapur të jetë e barabartë, pa fusnotë, pa status të posaçëm
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka folur edhe një herë për qëndrimin amerikan sa i përket çështjes së Ballkanit të Hapur, pjesë e së cilit ka refuzuar të jetë Republika e Kosovës.
Ai ka përsëritur dy kushtet e propozuara nga SHBA-së për mbështetjen e kësaj iniciative, që sipas tij lidhen me Kosovën dhe janë të rëndësishme për vendin.
Hovenier ka thënë se nëse Kosova bëhet pjesë e Ballkanit të Hapur duhet të jetë e barabartë me shtetet tjera anëtare, “pa fusnotë, pa status të posaçëm”.
Kushti i dytë sipas Hovenier është që iniciativa e Ballkanit të Hapur të jetë në përputhje me procesin e anëtarësimit në BE dhe që rrugëtimi të jetë drejt Bashkimit Evropian.
“I kemi pasur dy kushte për mbështetjen tonë, të paktën dy, por dy të rëndësishmet për Kosovën janë (1) nëse Kosova merr pjesë në të, do të duhet të marrë pjesë si partnere e barabartë. Një ndër gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor. Pa yll, pa fusnotë, pa status të posaçëm. Do të duhej të jetë një ndër gjashtë vendet si të gjitha të tjerat. Dhe kushti i dytë ka qenë që vetë nisma të jetë në përputhje me procesin e anëtarësimit në BE dhe që rrugëtimi i saj të jetë drejt anëtarësimit në BE”, tha Hovenier në intervistën në ATV.
Ambasadori amerikan ka deklaruar se Qeveria e Kosovës duhet të marrë vetë vendim se në cilat iniciativa dëshiron të jetë e përfshirë, ndërsa ka theksuar se deri më tani, Qeveria e Kosovës nuk ka shprehur interesim të jetë pjesë e Ballkanit të Hapur.
“E kam bërë këtë më herët, siç e ka bërë edhe zëvendës-ndihmësi i Sekretarit të Shtetit, Escobar. Janë një varg nismash rajonale që mund të ndihmojnë në rritjen e prosperitetit në rajon. Ne e mirëpresim çdo gjë që zvogëlon pengesat për tregti, që çon përpara lëvizjen e lirë të mallrave dhe njerëzve, kapitalit. Kjo do të ishte procesi i Berlinit dhe disa prej këtyre nismave tjera, dhe sipas këndvështrimit tonë, kjo përfshin edhe nismës e Ballkanit të Hapur. Shtetet e Bashkuara publikisht kanë shprehur mbështetjen e tyre për të”, tha Hovenier.
