Ekskluzive: Policia kapet duke parakaluar në vijë të plotë pa rotacion, gjobitet qytetari që e inçizoi

Një video e siguruar ekskluzivisht nga redaksia e Kosova.info hedh dritë mbi një rast shqetësues që ka ndodhur në rrugën drejt Obiliqit.

Pamjet tregojnë një veturë policore duke kryer parakalim në vijë të plotë, pa asnjë sinjalizim të ndezur, ndërsa qytetari që e inçizoi këtë moment u ndalua dhe u gjobit nga e njëjta patrullë.

https://www.facebook.com/share/v/1DgyWxnPFh

Sipas burimeve tona, ngjarja ka ndodhur mbrëm, kur vetura policore, pa ndezur dritat e rrotacionit, u fut në parakalim në një segment të rrugës ku kjo manovër është rreptësisht e ndaluar. Qytetari që ndodhej pas tyre, i habitur nga sjellja e policëve, e regjistroi ngjarjen me telefonin e tij.

Menjëherë pas këtij momenti, patrulla policore e ndaloi automjetin civil, pasi kishte vërejtur se po inçizohej. Në vend që të sqarohej rreth shkeljes së vetë policëve, ata i shqiptuarën qytetarit një gjobë me arsyetimin se “ka ndjekur veturën policore me rrotacion të ndezur”, megjithëse në videon që tashmë publikojmë, nuk shihet asnjë dritë rrotacioni e ndezur.

Në incizim dëgjohet qartë momenti kur qytetari deklaron se nuk e pranon gjobën, ndërsa njëri nga policët ia merr dokumentet dhe e fton në stacion policor, me arsyetimin se “dokumentet i ke atje”. Më pas, në stacion, sipas dëshmisë së qytetarit, është tentuar madje ndalimi i tij për 48 orë, me pretekstin se “ka ndjekur policin deri në stacion”.

Një dëshmitar i pranishëm në vendngjarje konfirmon se qytetari u ndalua vetëm për shkak se e kishte filmuar momentin e shkeljes së rregullave nga vetë policia. Publikimi i kësaj videoje ngre shqetësime serioze mbi standardet e sjelljes dhe profesionalizmit të disa pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.

Kjo ngjarje kërkon hetim të menjëhershëm nga Inspektorati Policor dhe transparencë të plotë, për të garantuar se qytetarët nuk ndëshkohen për faktin që dokumentojnë padrejtësitë./Kosova.info/

Go to TOP