Policia e Prishtinës takohet me Shoqatën e Gastronomëve: Fokus te respektimi i orarit dhe rendit publik

Drejtoria e Policisë së Kryeqytetit ka zhvilluar sot një takim koordinues me përfaqësues të Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës, me qëllim të forcimit të bashkëpunimit për respektimin e rendit dhe qetësisë publike në qytet.

Në takim morën pjesë edhe drejtues të Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca si dhe përfaqësues të Inspektoratit të Komunës së Prishtinës. Temë qendrore e diskutimit ishte zbatimi i rregullores për orarin e punës në sektorin e gastronomisë dhe respektimi i ligjit për rendin dhe qetësinë publike.

Përfaqësuesit e Policisë dhe inspektorëve komunalë theksuan se institucionet janë të përkushtuara për të siguruar një ambient të qetë dhe të sigurt për qytetarët duke paralajmëruar se ndaj të gjithë shkelësve të rregullores do të ndërmerren masa të qarta dhe të paanshme.

Nga ana e Shoqatës së Gastronomëve u shpreh gatishmëria për bashkëpunim të vazhdueshëm me institucionet, si dhe u garantua përkushtimi i bizneseve gastronomike për respektimin e orarit të lejuar dhe rregullave në fuqi.

Ky takim u vlerësua si një hap konkret në drejtim të përmirësimit të rendit publik dhe forcimit të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve dhe sektorit privat në Prishtinë. /Kosova.info/


Go to TOP