Policia del me njoftim për vdekjen e dyshimtë në Skënderaj
Policia e Kosovës ka dalë me njoftim zyrtar pas një rasti të vdekjes së dyshimtë që ka ndodhur sot në një vend pune në Skënderaj, ku një 44-vjeçar humbi jetën.
Në njoftimin zyrtar thuhet se rreth orës 16:00, Policia është informuar për një person që kishte pësuar probleme shëndetësore dhe gjendej i shtrirë në vendin e tij të punës në rrugën “17 Shkurti” në Skënderaj.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë menjëherë njësitë policore dhe ekipi mjekësor emergjent, mirëpo mjeku kujdestar ka konstatuar se viktima, një mashkull 44-vjeçar, kishte ndërruar jetë në vend.
Hetuesit e Njësisë Rajonale të Hetimeve, krim-teknika si dhe inspektorët e punës kanë kryer veprimet hetimore dhe procedurat e nevojshme ligjore. Me urdhër të prokurorit kujdestar, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.
Policia ka konfirmuar se rasti është iniciuar si “Vdekje e dyshimtë” dhe hetimet do të vazhdojnë me qëllim të sqarimit të plotë të rrethanave të këtij rasti. /Kosova.info/
