Policia e Kosovës prezanton planin operativ për sigurinë e “Zgjedhjeve Lokale 2025”

Nën udhëheqjen e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha, dhe në prani të stafit të lartë menaxhues, u mbajt një takim pune lidhur me angazhimin e Policisë në implementimin e planit policor për “Zgjedhjet Lokale 2025”.

Në këtë takim morën pjesë drejtorët e departamenteve, divizioneve dhe drejtorive rajonale, të cilët u informuan mbi planifikimet, vlerësimet dhe angazhimet policore për garantimin e sigurisë dhe mbarëvajtjes së procesit zgjedhor, i cili u cilësua si një ndër proceset më të rëndësishme për vendin.

Drejtori Hoxha theksoi se qëllimi kryesor i këtij plani është krijimi i një klime të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, si dhe ruajtja e rendit, qetësisë dhe sigurisë publike para, gjatë dhe pas zgjedhjeve. Ai kërkoi nga të gjitha njësitë policore që zbatimi i planit të bëhet me profesionalizëm, përkushtim dhe në bashkëpunim të ngushtë me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) dhe institucionet e tjera përgjegjëse.

Sipas planifikimit operativ, operacioni policor do të realizohet në katër faza:

1. Faza përgatitore dhe vlerësuese (periudha parazgjedhore),

2. Faza e fushatës zgjedhore,

3. Faza e ditës së zgjedhjeve (dita Z),

4. Faza paszgjedhore, që përfshin transportin dhe sigurinë e materialit senzitiv deri në përfundim të procesit.

Policia e Kosovës ka paraparë angazhimin e një numri të mjaftueshëm të zyrtarëve policorë nga njësite të ndryshme, përfshirë edhe caktimin e koordinatorëve të veçantë me KQZ-në dhe institucionet tjera të përfshira në zgjedhje.

Në takim u diskutua gjithashtu për inicimin dhe procedimin e çdo vepre penale që bie ndesh me të drejtën e votës, si dhe ndërmarrjen e të gjitha masave ligjore ndaj çdokujt që tenton të ndikojë në procesin zgjedhor në kundërshtim me ligjet e Kosovës. Këto masa do të zbatohen në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Shtetit, sipas planeve dhe marrëveshjeve të parapara me ligj.

Policia e Kosovës, në krye me menaxhmentin e saj, theksoi se mbetet e përkushtuar për ta realizuar misionin e saj me profesionalizëm, transparencë dhe paanshmëri ndaj qytetarëve dhe institucioneve të vendit. /Kosova.info/


Go to TOP