Pjesëmarrja e Përparim Ramës në protestën e Tiranës: Qëndrim njerëzor dhe kombëtar për mbrojtjen e vlerave të UÇK-së
Pjesëmarrja e Kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, në protestën masive në Tiranë u cilësua nga analistët si shprehje e solidaritetit me luftëtarët e lirisë dhe respekt ndaj sakrificës së UÇK-së, e jo si veprim me prapavijë politike
Përparim Rama, pjesëmarrës në protestën më të madhe për UÇK-në në Tiranë
Dje në Tiranë të Shqipërisë u mbajt protesta më masive në mbështetje të ish-eprorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë. Në mesin e pjesëmarrësve ishte edhe Kryetari i Prishtinës dhe kandidati për rizgjedhje, Përparim Rama, i cili kishte siguruar edhe gjashtë autobusë për transportin e qytetarëve.
Ai ishte parë edhe në protestën e mëhershme të 7 gushtit në Prishtinë, ku kishte mundësuar transport publik falas dhe parkim gratis për pjesëmarrësit. Po ashtu, Rama mori pjesë edhe në varrimin e babait të presidentit Hashim Thaçi – një tjetër gjest që shumëkush e cilësoi si shenjë respekti dhe njerzillëku.
Reçica: Rama po vepron si qytetar, jo si politikan
Politologu Enis Reçica thekson se pjesëmarrja e Ramës në këto protesta nuk është e re dhe nuk mund të shihet si manovër elektorale.
“Përparim Rama po tregon një qëndrim më personal e më njerëzor ndaj kësaj kauze sesa politik. Ai synon të shfaqë solidaritet me ata që sakrifikuan për lirinë, pa u ndalur në ndarje apo qasje politike. Thjesht proteston si qytetar i lirë, në mbështetje të drejtësisë për ata që luftuan për çlirimin e vendit,” u shpreh Reçica për Kosova.info.
Sipas tij, fakti që Rama nuk mori fjalën në protestë, por ishte aty si pjesëmarrës i thjeshtë, tregon qartë qëllimin e tij për të përfaqësuar ndjesinë qytetare dhe humane, jo politike.
“Vështirë të besohet se këto veprime janë bërë për përfitime politike. Shkuarja në Tiranë më tepër duket si shprehje e vullnetit të mirë dhe mirënjohjes ndaj veteranëve,” shtoi ai.
Krasniqi: Ky është qëndrim kombëtar, jo kalkulim elektoral
Analistja Naza Krasniqi e cilësoi pjesëmarrjen e Ramës si “veprim me simbolikë të fortë kombëtare”.
“Kjo protestë nuk kishte të bënte me individë, por me mbrojtjen e vlerave të UÇK-së – simbolit të lirisë dhe sakrificës së popullit tonë,” tha ajo për Kosova.info.
Sipas Krasniqit, përpjekjet për ta lidhur pjesëmarrjen e tij me fushatën elektorale janë të paarsyeshme.
“Ka momente kur tejkalohen vijat partiake. Mbrojtja e UÇK-së është çështje kombëtare dhe më e madhe se çdo interes personal ose politik. Pjesëmarrja e Përparim Ramës duhet parë si qëndrim i përgjegjshëm dhe me dinjitet kombëtar.”
Zëri i qytetarëve: Kryetar që ndjen për veteranët, meriton mbështetje
Një qytetar nga Prishtina, Alberti, që mori pjesë në protestë, tha se ndjehet i përfaqësuar nga gjesti i kryetarit të tij.
“Përparim Rama s’ka nevojë me fol shumë – veprat po flasin. Kur sheh një kryetar që vetë del në protestë, e që kujdeset për veteranët e qytetarët e vet, e kupton se ky njeri ka zemër. Unë dhe familja ime do ta votojmë sepse është me popullin, jo mbi popullin,” tha ai, për Kosova.info.
Mbrojtja e vlerave të UÇK-së – mbi politikën e përditshme
Pavarësisht debateve, pjesëmarrja e Përparim Ramës në protestën e Tiranës është parë si gjest që bashkon, e jo ndan.
Në një kohë kur procesi gjyqësor në Hagë vazhdon të ngjallë emocione të forta, veprimet e tilla që përkrahin vlerat e UÇK-së përbëjnë kujtesë të përbashkët për sakrificën e atyre që sollën lirinë. /Kosova.info/
