Pionerët e Rinj: Fëmijët rusë parakalojnë në Sheshin e Kuq
Parada e regjistrimit e 22 majit kishte jehonën e së kaluarës socialiste të Rusisë dhe u mbajt para Kremlinit si një version i ringjallur i Pionierëve të Rinj, një organizatë rinore e epokës komuniste që shënoi 100-vjetorin e saj.

Rreth pesë mijë nxënës shkollash u bënë pjesë e organizatës Të gjithë pionerët e rinj rusë, gjatë një ceremonie të organizuar nga Partia Komuniste e vendit më 22 maj, e mbushur me simbolikë nga e kaluara socialiste e Rusisë.

Pionierët e Rinj ishte një organizatë rinore në Bashkimin Sovjetik, anëtarët e së cilës ishin të detyruar të “ndërtonin komunizmin, të punonin për mirëqenien e atdheut dhe të përgatiteshin për të qenë mbrojtës të tij”. Organizata shihej si një platformë për anëtarësim përfundimtar në Partinë Komuniste.

Është e paqartë se për çfarë qëllimi do të shërbejë organizata e re rinore, por një drejtues i Partisë Komuniste u tha mediave ruse se “vëmendja maksimale” është e fokusuar te nisma.

Ceremonia në Moskë u organizua për të shënuar 100-vjetorin e themelimit të organizatës Pionerët e Rinj.

Nisma e Partisë Komuniste u ndërmor pak kohë pasi fëmijët nëpër shkolla anembanë Rusisë, shpesh edhe pa dijeninë e prindërve, u detyruan të tregojnë “mbështetje” për pushtimin e Ukrainës.

Sipas anëtarit të lartë të Partisë Komuniste, Yuri Afonin, Pionierët e Rinj do të jenë një entitet i veçantë nga një organizatë tjetër rinore e quajtur “Ndryshimi i madh” që po planifikohet nga Kremlini.

Për nismën e Kremlinit “Ndryshimi i madh”, që planifikon të angazhojë miliona fëmijë në grupin e të rinjve të ngjashëm me Pionierët, Afonin thotë: “Nuk ka nevojë të bashkohemi. Është e rëndësishme që organizata të ndryshme të zhvillohen”.

Kritikët e Kremlinit thonë se masa aktuale për të ringjallur lëvizjet rinore të organizuara nga shteti, në plan afatgjatë synon të rrisë “një brez të ri ushtarësh”.

Komentatori rus, Fyodor Krasheninnikov, i tha Shërbimit Rus të Radios Evropa e Lirë se qëllimi i lëvizjeve rinore të epokës sovjetike ishte të siguroheshin që “të rinjtë të kishin sa më pak kohë të lirë, e cila nuk mund të kontrollohej nga shteti”.

Grupet rinore ruse në zhvillim duket se kanë rënë në sy të një autoritari tjetër të epokës sovjetike. Më 20 maj, udhëheqësi bjellorus, Alyaksandr Lukashenka, u tha mediave se lëvizjet e reja të mbështetura nga shteti, “duhet të organizohen kudo dhe të mbulojnë të gjitha grupet rinore, duke përfshirë të rinjtë që jetojnë në fshat, studentët, punëtorët e rinj e kështu me radhë, siç ishte në kohët e Komsomol-it” (grupi i të rinjve të epokës sovjetike).
