Petrit Rudi falënderon Lumir Abdixhikun: Ia riktheu dinjitetin dhe respektin Fetah Rudit
Petrit Rudi ka falënderuar publikisht kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, për mënyrën se si, sipas tij, e ka trajtuar babanë e tij, Fetah Rudin.
Në një reagim emocional, ai tha se pas Presidentit historik Ibrahim Rugova, Abdixhiku ishte njeriu që “dyert e zyrës dhe telefoni i tij ishin gjithmonë të hapura” për Fetah Rudin.
Sipas Petrit Rudit, babai i tij për vite me radhë ishte injoruar dhe përjashtuar nga strukturat e mëparshme të LDK-së, madje disa herë ishte larguar nga listat zgjedhore në momentet e fundit.
“Me Lumir Abdixhikun u rikthye respekti, dinjiteti dhe komunikimi. Trajtimi që ia bëri babit tim nuk ishte privilegj, por drejtësi e vonuar”, ka shkruar ai.
Ndaj këtij mesazhi ka reaguar edhe Abdixhiku, i cili tha se njerëz si Fetah Rudi meritojnë respekt institucional dhe njerëzor për sakrificën e tyre ndër vite.
“Ka njerëz që historinë e LDK-së e kanë shkruar me fjalë. Ka të tjerë që e kanë shkruar me plagë. Babai yt është prej të dyjave”, ka deklaruar Abdixhiku.
Ai shtoi se LDK-ja duhet të jetë shtëpi për njerëzit që kanë sakrifikuar për Kosovën dhe për vetë historinë e partisë. /Kosova.info/
