Pesë të hospitalizuar, 62 të arrestuar pas sulmeve ndaj tifozëve izraelitë në Amsterdam

Tifozët izraelitë dhe protestuesit u përleshën gjatë natës së mbrëmshme pas ndeshjes mes Ajaxit dhe Maccabi Tel Aviv, tha policia holandeze të premten.

Autoritetet holandeze thanë se sulmuesit i sulmuan tifozët izraelitë në mënyrë sistematike.

Nuk është e qartë se si filloi dhuna. Liderët e Izraelit dhe Holandës e dënuan dhunën duke e cilësuar si antisemitike. Videot nga Amsterdami gjithashtu shfaqin tifozët izraelitë duke brohoritur thirrje antiarabe në rrugët e qytetit.

Kryetarja e Amsterdamit, Femke Halsema, tha për gazetarë të premten se vëzhguesi kundër terrorizmit i Holandës theksoi se nuk kishte kërcënime konkrete ndaj tifozëve izraelitë të futbollit para ndeshjes.

Peter Holla, shefi në detyrë i policisë së qytetit, tha në një konferencë për media se tifozët “u sulmuan qëllimshëm”.

Policia e Amsterdamit tha në rrjetet sociale se ka filluar një hetim të madh ndaj incidenteve të shumta të dhunës. Ajo nuk dha më shumë hollësi për të lënduarit apo të arrestuarit gjatë dhunës të enjten mbrëma, pas ndeshjes mes Ajaxit dhe Maccabi Tel Avivit në Ligën e Evropës.

Ende nuk është e qartë se kur dhe ku shpërtheu dhuna pas luftës.

“Në disa pjesë të qytetit u sulmuan tifozët. Policia u detyrua të ndërhyjë disa herë, për t’i mbrojtur tifozët izraelitë dhe për t’i shoqëruar ata në hotele”, tha policia.

Dhuna shpërtheu, megjithëse ishte ndaluar një protestë propalestineze në afërsi të stadiumit. Halsema nuk kishte dhënë leje për protestë nga frika se do të shpërthenin përleshje mes protestuesve dhe tifozëve të klubit izraelit.

Para ndeshjes nuk kishte incidenteve ku përfshiheshin tifozët.

Transmetuesi holandez NOS raportoi se një flamur palestinez u bë copa-copa në një ndërtesë në qendër të qytetit dhe se policia nuk i lejoi mbështetësit propalestinezë të marshonin drejt stadiumit ku po zhvillohej ndeshja.

Izraeli fillimisht urdhëroi dërgimin e dy avionëve në kryeqytetin holandez për t’i kthyer izraelitët në shtëpi, por më vonë zyra e kryeministrit Benjamin Netanyahu tha se do të punojë “për të gjetur një zgjidhje për kthimin e qytetarëve tanë përmes aviacionit civil”.

Kryeministri i Holandës, Dick Schoof, tha në X se ishte i “tmerruar” nga raportimet për dhunë në Amsterdam.

“Sulme plotësisht të papranueshme antisemitike ndaj izraelitëve. Jam në kontakt me të gjithë të përfshirët”, tha ai, duke shtuar se bisedoi me Netanyahun dhe “theksova se përgjegjësit do të ndiqen dhe do të përballen me drejtësi”.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se i dënon sulmet ndaj tifozëve të ekipit izraelit të futbollit në Amsterdam.

“I dënoj fuqishëm këto akte të papranueshme. Antisemitizmi nuk ka vend në Evropë. Ne jemi të vendosur t’i luftojmë të gjitha format e urrejtjes”, tha ajo.

Politikani antimysliman, Geert Wilders, i cili është lider i partisë më të madhe në Qeverinë holandeze, i dënoi sulmet e raportuara në Amsterdam.

“Ndihem i turpëruar se kjo mund të ndodhë në Holandë. E papranueshme”, shkroi ai në X.

Go to TOP