Përzgjedhja e Kryeprokurorit, ish-ministri i Drejtësisë: E çuditshme që askush nuk po ankohet për rezultatin – të gjithë po ankohen për procesin

Ish-ministri i Drejtësisë, Selim Selimi thotë se është e vështirë të mendohet se procesi i përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit do të kthehet në pikën zero.

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) të mërkurën ka propozuar për Kryeprokuror të Shtetit, Blerim Isufajn.

Ankesë ndaj vendimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, tashmë është paralajmëruar, të paktën nga njëri prej këtyre kandidatëve,  e ai është Shqipdon Fazliu.

Ndaj procedurës së përzgjedhjes së kandidatit për Kryeprokuror të Shtetit, kanë reaguar organizatat joqeveritare që mbikëqyrin punën e sistemit prokurorial të Kosovës, Instituti i Kosovës për Drejtësi, Grupi për Studime Juridike dhe Politike, si dhe Lëvizja “Fol”.

Kritika ndaj këtij procesi kanë shprehur edhe ambasadorët e Shteteve të Bashkuara dhe Gjermanisë në Kosovë, si dhe zyrtarët e Bashkimit Evropian.

Mirëpo, ish-ministri i Drejtësisë, Selim Selimi thotë se është e çuditshme që askush nuk po ankohet për rezultatin, derisa të gjithë po ankohen për procesin.

“Cilët janë mekanizmat matës që shoqëria civile i ka përdorur për të konstatuar se procesit i ka munguar integriteti. A ka qenë mungesa e transparencës? Shoqëria civile tha që nuk ka qenë kjo. Transparenca garanton një monitorim të drejtpërdrejt. 11 profesionistët e kanë vlerësuar procesin, dhe të 11-ët e kanë dhënë votën me unanimitet”, tha ai.

Selimi thotë se procesi nuk  mund të kthehet në pikën zero.

“Unanimiteti i votës tregon se aspekti juridiko-formal është plotësuar në tërësi. Aspektet abstrakte që lidhen me integritetin mund të vlerësohen ndryshe. Unë mund ta vlerësoj ndryshe, derisa të tjerët mund të kenë pikëpamje tjera”, deklaroi tutje Selimi.

Go to TOP