Përparim Rama reagim i ashpër ndaj Kurtit: “Kjo s’është më politikë, është rrezik institucional”
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar ashpër pas deklaratës së kryeministrit Albin Kurti, i cili tha se “nuk e jep buxhetin për” komunat që nuk janë nën qeverisjen e partisë së tij.
Rama e ka quajtur këtë deklaratë “skandaloze” dhe e ka akuzuar Kurtin për shndërrimin e pushtetit në pronë private të partisë.
“Deklarata e Albin Kurtit ‘nuk e jap buxhetin për…’ është skandaloze. Cilin buxhet, Albin? Buxhetin e kujt ‘s’e jep’? Të popullit që e mban këtë shtet me tatime, punë dhe durim, apo të partisë që e ke shndërru në pronë private?”, ka shkruar Rama.
Ai shtoi se Kurti tashmë e ka pranuar publikisht atë që opozita ka paralajmëruar prej kohësh — se qeveria nuk mbështet komunat që nuk janë të afërta me Vetëvendosjen.
“Buxheti i shtetit nuk është shpërblim as ndëshkim, është detyrim kushtetues! Në demokraci, kush e përdor paranë publike për të ndëshkuar kundërshtarët, është autokrat që fshihet pas fjalëve populliste,” ka theksuar kryetari i Prishtinës.
Sipas tij, kjo sjellje përbën rrezik për vetë institucionet e Kosovës.
“Kur ish-kryeministri flet si pronar, qytetari humb statusin e sovranit. Aty fillon kultivimi i një autokracie të rrezikshme, që ushqehet nga servilizmi, frika dhe përfitimi,” ka shkruar Rama.
Në fund, Rama i ka drejtuar një mesazh të drejtpërdrejtë Kurtit:
“Pushteti nuk është pasqyrë për t’u admiruar, është provim që e ke dështuar me arrogancë. Kosova është shtet demokratik. Këtë duhet ta mbash mend ti dhe ata që të duartrokasin me servilizëm. Me këtë tendencë shkatërruese të shtetësisë dhe përçarje të popullit, nuk do të jesh më kryeministër.”/Kosova.info/
