Përparim Gashi: Ne do të jemi vetëm zëri i qytetarëve të Prishtinës

Kandidati për Asamblenë Komunale të Prishtinës nga Iniciativa Qytetare Prishtina në dorën tënde, z. Përparim Gashi, ka deklaruar se angazhimi i tij dhe i ekipit të tij është i pandalshëm dhe i drejtuar vetëm në shërbim të qytetarëve të kryeqytetit, transmeton Kosova.info.

“Ditët e 12 Tetorit po afrohen me shpejtësi dhe ne jemi duke bërë një punë të mrekullueshme në terren. Çdo ditë po takohem me qytetarë në çdo lagje të Prishtinës, ku po e shpalosim programin tonë të plotë. Ky program nuk është për interesa të ngushta politike, por është i ndërtuar mbi hallet, nevojat dhe aspiratat e qytetarëve tanë”, ka thënë z. Gashi.

Ai ka theksuar se Iniciativa Qytetare Prishtina në dorën tënde nuk do të jetë zë i partive politike, por zë i qytetarëve. “Çdo problem që qytetarët e kanë në lagje, çdo vështirësi e përditshme, ne do ta ngrisim në Kuvendin Komunal. Do të jemi pranë qytetarëve në çdo hap, për t’i mbrojtur ata dhe jo interesat e partive apo grupeve të ngushta”, është shprehur më tej Gashi.

Sipas tij, Prishtina ka nevojë për një zë të fortë, të guximshëm dhe të ndershëm. “Ky zë do të jetë zëri im, por mbi të gjitha, zëri i qytetarëve të Prishtinës”, ka thënë kandidati për Asamble, Përparim Gashi.

Në përmbyllje, ai ka bërë thirrje për mbështetje në zgjedhjet e 12 Tetorit: “Qytetarët që duan një përfaqësim të drejtë dhe të vërtetë, më 12 Tetor duhet të votojnë 165 dhe Përparim Gashi, numër 5 në listë. Sepse Prishtina në dorën tënde nuk është vetëm slogan, por është një zotim dhe një garanci se qytetarët do të kenë zërin e tyre në Kuvendin Komunal”, ka përfunduar Gashi./Kosova.info/


Go to TOP