Përmbyllet programi për trajtimin e kryerësve të dhunës ndaj grave
Është përmbyllur programi gjashtëmujor psiko-social “Programi Kombëtar për Trajtimin e Kryerësve të Dhunës ndaj Grave”, i zhvilluar me një grup prej 16 të burgosurish, i ndërtuar mbi modelin Modeli Duluth dhe i fokusuar në zhvillimin e aftësive njohëse dhe ndryshimin e mënyrës së të menduarit.
Siç njofton Shërbimi Korrektues i Kosovës, gjatë zbatimit të programit, pjesëmarrësit kanë punuar për të sfiduar besimet që normalizojnë kontrollin dhe dhunën, për të kuptuar përgjegjësinë personale si dhe për të ndërtuar forma të reja reagimi në situata të ndryshme.
Programi është zbatuar nga trajnerja dhe zyrtarja e lartë për zbatimin e programeve rehabilituese, Havë Shabanaj. Në aktivitetin përmbyllës morën pjesë edhe drejtoresha e Departamentit për Trajtim të Burgosurve dhe të Miturve, Trëndelina Qorraj, si dhe zyrtarët për zbatim të programeve Suzana Gusturanaj dhe Labinot Myrtaj. /Kosova.info/
