Përkujtohen dëshmorët e Dukagjinit

Dukagjini sot përkujtoi rënien e 16 luftëtarëve të lirisë në Bjeshkën e Belegut. Ata që shpëtuan të gjallë risjellin në kujtesë heroizmin e atyre, që dhanë jetën për liri.

Janë bërë 25 vjet nga rënia heroike e 16 luftëtarëve të lirisë në Bjeshkën e Belegut, ndërsa bashkëluftëtarët nuk i kanë harruar momentet e vështira, por shumë të lavdishme të këtyre trimave gjatë misionit për shpëtimin e luftëtarëve të plagosur të UÇK-së.

Gjeneral Daut Haradinaj thotë se të vetëdijshëm se po shkonin drejtë vdekjes së sigurt,  trimat e UÇK-së nuk u lëkundën për asnjë milimetër përballë forcave armike që kishin ngritur pusi.

“24 maji është në shënim të krejt asaj ngjarje treditore në një dyluftim të jashtëzakonshëm. Dhe aty ka pasur një përballje, kisha për të thënë, fyt për fyt, mes ushtrisë serbe dhe ushtarëve tanë, ku dihet se një pjesë e tyre edhe ranë dëshmorë. Komandant Avdyli me shokë deri në minutën e fundit, fishekët e fundit kanë rezistuar mos t’i lënë bashkëluftëtarët e tyre të plagosur, që të bien në duart e forcave serbe”, tha Daut Haradinaj, bashkëluftëtar.

“Prita ishte shumë e madhe, por rezistenca jonë dhe vullneti ishin shumë më të mëdha se ajo pritë dhe kemi rezistuar bashkë me komandantin Avdyl Mushkolaj, deri në orët e mbrëmjes për mos t’i lejuar të bien në duar të armikut. Ishim pa ngrënë, pa pi, të lodhur, të lagur, por vullneti për të arritur qëllimin ishte shumë i madh”, tha Elez Bekaj, bashkëluftëtar.

E krenare përgjithmonë për veprat e djemve të rënë janë nënloket që kur nuk u ligështuan.

“Sa herë vij këtu në përvjetor, unë jam e kënaqur edhe kurrë nuk qaj, jam e lumtur për tanë që janë shkuar për liri”, tha nëna e dëshmorit Nuredin Gërvalla .

Gjashtëmbëdhjetë luftëtarët e UÇK -së, ushtarë të Batalionit Gardist “Shkëlzen Haradinaj” ranë më 24 maj 1999 në Bjeshkën e Belegut ndërsa 15 të tjerë mbetën të plagosur.

Go to TOP