Kosova anëtar i asociuar i NATO-s, Hyseni: Presim epilog pozitiv

Në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, e cila mbahet për tre ditë radhazi, 25,26,27, në Sofje të Bullgarisë, në agjendë do të jetë edhe Kosova.

Kosova pret që të marrë përkrahje në avancimin e statusit të Kuvendit të Kosovës, nga vëzhgues në anëtar të asociuar të kësaj organizate.

Kosova përfaqësohet nga deputetët Driton Hyseni dhe Xhavit Haliti. Ata do të jenë prezentë në punimet e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, në Sofje.

Udhëheqësi i delegacionit, Driton Hyseni, për RTK- në, ka theksuar se orvatjet e Serbisë për ta penguar Kosovën po vazhdojnë edhe në këtë proces.

 “Si rrjedhojë e vendimit të komitetit të përhershëm drejtues të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, i votuar me 24 mars të këtij viti, në favor të ngritjes së statusit të delegacionit të Kosovës, ju konfirmoj se çështja e tillë është në agjendën e punimeve të asamblesë dhe për të pritet votimi me shumicën e deputetëve në Asamblenë Parlamentare të NATO-s më 27 maj (asambleja ka 274 deputetë në total, nga 32 vendet anëtare të NATO-s). Presim epilog pozitiv dhe zyrtarizim të plotë të statusit të ri të delegacionit nga Kosova, si Anëtar i Asociuar i Asamblesë Parlamentare të NATO-s”, ka deklaruar Hyseni.

Pasi Rusia ka nisur pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës, në shkurt të vitit 2022, nga Kosova është kërkuar anëtarësim të përshpejtuar në NATO.

“Anëtarësimi i përshpejtuar i Kosovës në NATO dhe vendosja e bazës së përhershme të forcave amerikane janë nevojë imediate për garantimin e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë”, ka thënë ministri i atëhershëm i Mbrojtjes në Kosovë, Armend Mehaj.

NATO-ja nuk e ka komentuar këtë kërkesë të Kosovës, por ka siguruar se misioni i saj paqeruajtës në vend, KFOR, “mundëson trajtimin e menjëhershëm të çdo zhvillimi që mund të ndikojë në situatën e sigurisë”.

Go to TOP