Përkohësisht mbyllet një segment i Rrugës Nacionale N9

Ministria e Infrastrukturës dhe e Transportit ka njoftuar se të mërkurën, më 4 mars 2026, do të ndërpritet përkohësisht qarkullimi i trafikut në segmentin Kijevë–Dollc të Rrugës Nacionale N9, për shkak të punimeve të riparimit të një gropë pranë Urës nr. 7, në kilometrat 10+893.15 deri në 10+947.32, në zonën e njohur si Kalaja e Dollcit.

Sipas njoftimit, trafiku do të bllokohet nga udhëkryqi Gjakovë–Klinë deri te udhëkryqi për Gjurgjevik, duke filluar nga ora 08:00 të mëngjesit dhe deri në përfundimin e riparimeve, por jo më shumë se 48 orë.

Ministria i ka bërë thirrje qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik për mirëkuptim për shqetësimet e mundshme gjatë kësaj periudhe. /Kosova.info/


Go to TOP