Përdori emrin e vjetër gjatë betimit, Bullgaria i reagon presidentes së Maqedonisë së Veriut
Presidenti dhe kryeministri bullgar, Rumen Radev dhe Dimitar Glavçev, reaguan ashpër ndaj inaugurimit të presidentes së re, Gordana Siljanovska Davkova, e cila gjatë betimit nuk e quajti Maqedoni e Veriut, por vetëm si Maqedoni.
Radev tha se Bullgaria nuk pranon deklarata dhe sjellje që bien ndesh me Marrëveshjen për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim të vitit 2017, si dhe marrëveshje të tjera ndërkombëtare të nënshkruara nga Maqedonia e Veriut, raporton portali bullgar BNR.
Presidentja e sapozgjedhur Gordana Siljanovska-Davkova dje shkaktoi një reagim të ashpër dhe paralajmërime nga Greqia dhe BE-ja, pasi ajo tha gjatë betimit se do të “respektojë Kushtetutën dhe të mbrojë pavarësinë e Maqedonisë”, duke përdorur emrin që vendi kishte para nënshkrimit të Marrëveshjes së Prespës
“Bullgaria vazhdimisht dhe qartë e shpreh qëndrimin se marrëveshjet duhet të zbatohen”, tha Radev dhe paralajmëroi se “perspektiva evropiane e Maqedonisë së Veriut varet nga zbatimi i përpiktë i marrëveshjeve ndërkombëtare dhe nga korniza negociuese e miratuar nga Këshilli Evropian në korrik 2022, e cila nuk do të rishikohet”.
Kryeministri i Bullgarisë Glavçev theksoi se Maqedonia e Veriut është anëtare e NATO-s, nga e cila burojnë obligimet dhe përgjegjësitë përkatëse.
“Bullgaria nuk pranon deklarata dhe sjellje që bien ndesh me Marrëveshjen për Miqësi, Fqinjësi të Mirë dhe Bashkëpunim të vitit 2017 dhe, në parim, me marrëveshjet ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut”, thuhet në përgjigjen e Gllavçevit, raporton portali bullgar BNR.
