Peci: Partneriteti me Rusinë, si në rastin e Iranit, është kthyer në një boomerang për Teheranin

Analisti dhe diplomati Lulzim Peci ka komentuar zhvillimet e fundit në raportet mes Rusisë dhe Iranit duke theksuar se partneriteti apo aleanca me Moskën ka rezultuar të jetë e dëmshme për Teheranin, sidomos në dritën e luftës në Ukrainë.

“Për të kuptuar se çfarë do të thotë partneriteti/aleanca për Rusinë, shihet më së miri tani me Iranin,” shkruan Peci. Sipas tij, lufta në Ukrainë e ka gjunjëzuar Moskën dhe për herë të parë në 80 vitet e fundit, Rusia është tërhequr nga Mesdheu, Lindja e Mesme dhe Gjiri Persik.

Ai shton se Irani, i cili i kishte dhënë Rusisë dronë dhe armatim për luftën në Ukrainë, nuk e kishte imagjinuar që kjo ndihmë do t’i kthehej në këtë formë, duke aluduar në mungesën e mbështetjes nga ana e Moskës në momentin më kritik për Teheranin.

Peci e cilëson këtë zhvillim si lajm të mirë për sigurinë evropiane dhe për vetë Kosovën. Ai kujton se që nga vitet ’90, strategët e sigurisë në SHBA e kishin identifikuar regjimin iranian si kërcënim për shkak të ambicieve të tij në zhvillimin e raketave balistike, përfshirë edhe ato me kapacitete bërthamore që mund të godasin Evropën qendrore.

“Ky rrezik tashmë është në largim e sipër,” shprehet Peci duke theksuar se “armët, sikurse edhe pushteti, janë të rrezikshme – sidomos kur bien në duart e njerëzve mizorë dhe të papërgjegjshëm.” /Kosova.info/


Go to TOP