Peci akuzon Abdixhikun për manipulim të votave të diasporës: Inxhinieringu i kryetarit të LDK-së
Bashkëkryesuesi i partisë “Guxo”, dhe ministri i bujqësisë, Faton Peci, ka ngritur akuza të rënda ndaj kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku duke e akuzuar për manipulim të votave me postë nga diaspora në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Peci, përmes një reagimi publik, ka thënë se Abdixhiku ka orkestruar një “inxhiniering” të votave me postë për të rritur artificialisht rezultatin e LDK-së dhe për të favorizuar disa kandidatë të afërt me të.
“Kryetari i LDK-së, paralelisht me deklaratat kundër korrupsionit, përgatiti veprimin më korruptiv të mundshëm duke porositur votat për të dëgjueshmit e tij në parti”, ka shkruar Peci.
Ai ka përmendur se në disa media të afërta me LDK-në, më herët ishin bërë sulme të porositura ndaj tij dhe Ministrisë së Bujqësisë, ndërsa tani akuzon Abdixhikun për ndërhyrje direkte në rezultatet e votave të diasporës.
Peci ka bërë thirrje që ky rast të hetohet nga organet e drejtësisë duke shtuar se “e vërteta dhe drejtësia mund të vonojnë, por prapë do të triumfojnë”. /Kosova.info/
