PDK: Procesi ndaj ish-krerëve të UÇK-së të përmbyllet me drejtësi, pa zvarritje e pa ndikime politike

Pas njoftimit të Gjykatës Speciale se nga 9 deri më 18 shkurt do të zhvillohen deklaratat përmbyllëse në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, të cilët ndodhen në paraburgim në Hagë për mbi pesë vjet, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka ritheksuar nevojën që ky proces të përmbyllet me drejtësi.

Në reagimin e saj, PDK vlerëson se procesi gjyqësor është shoqëruar me problematika serioze duke u karakterizuar nga zvarritje të panevojshme, paqartësi procedurale dhe vendime që, sipas saj, kanë ngritur shqetësime të vazhdueshme mbi standardet e drejtësisë dhe respektimin e të drejtave themelore të njeriut.

Sipas PDK-së, këto rrethana kanë cenuar perceptimin e drejtësisë së barabartë dhe kanë rënduar padrejtësisht mbi çlirimtarët dhe ish-udhëheqësit e shtetit të Kosovës, të cilët tashmë kanë kaluar një periudhë të gjatë në paraburgim.

Partia thekson se në këtë fazë përmbyllëse është thelbësore që gjykimi të përqendrohet ekskluzivisht në drejtësi të paanshme, në fakte dhe prova duke u larguar nga çdo qasje politike, interpretuese apo spekulative që, sipas saj, e ka shoqëruar procesin gjatë këtyre pesë viteve.

PDK vlerëson gjithashtu se dëshmitarët kyç në këtë proces gjyqësor kanë hedhur poshtë pretendimet kryesore të aktakuzës duke rrëzuar çdo dyshim mbi fajësi individuale, grupore apo komanduese, dhe se këto dëshmi kanë kontribuar ndjeshëm në sqarimin e rrethanave faktike.

Në fund, Partia Demokratike e Kosovës thekson se mbetet e përkushtuar ndaj sundimit të ligjit, paqes dhe drejtësisë duke shprehur bindjen se vetëm një vendim i drejtë dhe profesional mund të kontribuojë në mbylljen e këtij kapitulli të rëndësishëm për Kosovën, drejtësinë ndërkombëtare dhe të ardhmen e rajonit. /Kosova.info/


Go to TOP