PDK-ja fton partitë properëndimore t’i japin Kosovës një “qeveri të përgjegjshme”

Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar pas vendimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të pezulluar pa afat dialogun strategjik me Kosovën, një proces i cili, siç thuhet në deklaratën e saj, ishte menduar të forconte marrëdhëniet ekonomike, politike, diplomatike dhe të mbrojtjes.

Në reagim, PDK thekson se ky zhvillim është pasojë e drejtpërdrejtë e qeverisjes së deritashme.

“Ky zhvillim i rëndë është pasojë e drejtpërdrejtë e veprimeve të pamatura dhe të papërgjegjshme të Qeverisë në largim dhe kryeministrit në largim, Albin Kurti”, thuhet në deklaratë.

Tutje, PDK vlerëson se sjellja e Kurtit ka cenuar partneritetin me aleatin më të rëndësishëm të Kosovës.

“Sjellja e tij ka cenuar besimin dhe partneritetin me aleatin tonë më të madh dhe më të rëndësishëm strategjik, SHBA-në, vendin që ka qenë dhe mbetet mbështetësi më i madh i lirisë, pavarësisë dhe shtetndërtimit të Kosovës”, thuhet në reagim.

Sipas PDK-së, pas sanksioneve të Bashkimit Evropian dhe tash vendimit të SHBA-së, vendi po rrëshqet drejt një rruge të rrezikshme.

“Pas sanksioneve të Bashkimit Evropian dhe tani vendimit të Shteteve të Bashkuara për pezullimin e Dialogut Strategjik, është bërë krejtësisht e qartë se vendi po rrëshqet në një drejtim të rrezikshëm për shkak të një qeverie të papërgjegjshme. Kjo është koha e fundit që të gjitha forcat politike properëndimore, me vetëdije shtetformuese, të bashkohen dhe t’i japin Kosovës një qeveri të përgjegjshme, e cila e rikthen vendin në rrugëtimin e sigurt të integrimit euroatlantik – aspiratë e përhershme e popullit të Kosovës”, thuhet në deklaratë.

Në këtë reagim, PDK e cilëson pezullimin e dialogut si goditjen më të rëndë për Kosovën në dy dekadat e fundit.
“Sipas PDK-së pezullimi i dialogut strategjik është dëmi më i madh politik, diplomatik dhe strategjik që i është shkaktuar Republikës së Kosovës në 25 vjetët e lirisë, duke cenuar drejtpërdrejt raportet me aleatin tonë kryesor dhe duke e vënë në pikëpyetje besueshmërinë ndërkombëtare të shtetit tonë”, thuhet në reagim.

Partia rikujton se marrëdhënia me SHBA-në është thelbësore dhe nuk duhet të vihet kurrë në rrezik.
“Për më shumë se dy dekada, marrëdhëniet e Kosovës me ShBA-në kanë qenë të pakontestueshme, të bazuara mbi vlera të përbashkëta të lirisë, paqes dhe demokracisë. Sot, për shkak të një qeverisjeje që ka zgjedhur konfliktin mbi bashkëpunimin dhe populizmin mbi përgjegjësinë, këto raporte po vendosen në rrezik. Partia Demokratike e Kosovës rithekson se marrëdhënia me ShBA-të është interes jetik dhe kombëtar i Kosovës, i pakrahasueshëm dhe i pazëvendësueshëm. Ne mbetemi të përkushtuar për ta ruajtur, forcuar dhe zgjeruar këtë partneritet në çdo rrethanë”, thuhet në deklaratë.

Në fund, PDK apelon që situata e krijuar të shërbejë si paralajmërim serioz për të gjithë.
“Ky dëm që i është shkaktuar Kosovës nga Qeveria në largim duhet të shërbejë si thirrje alarmi për të gjithë. Partneriteti me Shtetet e Bashkuara nuk është një çështje e zakonshme politike, por themeli i sigurisë, zhvillimit dhe të ardhmes sonë”, përfundon reagimi i PDK-së.


Go to TOP