PDK e LDK akuzojnë pushtetin e Kurtit për korrupsion
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) kanë akuzuar partinë në pushtet për keqpërdorime dhe afera korruptive, duke vënë në fokus të veçantë gjendjen në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK).
PDK dhe LDK kritikojnë Qeverinë Kurti për numrin e lartë të kontratave njëburimore, të cilat i konsiderojnë si burim të korrupsionit.
Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka deklaruar për Ekonomia Online se afera të ndryshme kanë shoqëruar qeverisjen katërvjeçare. Sipas tij, vetëm në dy vitet e fundit, 106 milionë euro kanë qenë vlera e kontratave njëburimore në KEK.
“Nga pozita jonë si deputetë, kemi thirrur numrin më të madh të seancave të jashtëzakonshme për keqpërdorime në dikasteret ministrore. Numri i këtyre aferave është shumë i madh, që nga çështjet e ambalazhimit të ujit, ku ka një mega-skandal. Po ashtu, në KEK janë bërë kontrata njëburimore me vlerë 106 milionë euro në dy vite,” tha Tahiri, duke shtuar se çmimet e këtyre kontratave negociohen në tavolinë, duke përjashtuar ligjin e prokurimit.
“Kjo situatë është e paprecedentë në historinë e Republikës së Kosovës dhe nuk guxon të përsëritet. Në disa ministri, kontratat njëburimore po caktohen pa konkurrencë të hapur, duke përjashtuar procesin e prokurimit, që rrit potencialin për korrupsion,” theksoi Tahiri.
Tahiri shtoi se përveç kontratave njëburimore, ata kanë thirrur disa herë seanca të jashtëzakonshme për skandale të tjera, si çështjen e rezervave shtetërore dhe ushqimin për Forcat e Sigurisë së Kosovës (FSK). Ai shprehu bindjen se qeveria e ardhshme do të udhëhiqet nga kandidati i tyre, Bedri Hamza.
“Muajt e fundit kemi thirrur katër seanca për keqpërdorime, nga ushtria e Kosovës te rezervat shtetërore. Vetëm një gjë është pozitive – jemi në prag të zgjedhjeve dhe në mandatin e ardhshëm do të kemi një qeveri të re, me kryeministër Bedri Hamzën. Deri tani janë shpenzuar rreth 14 miliardë euro për këtë mandat,” deklaroi ai.
Ndërkohë, deputeti i LDK-së, Besian Mustafa, ka deklaruar se kryeministri Albin Kurti jo vetëm që nuk i shkarkon zyrtarët e dyshuar për korrupsion, por edhe i mbron ata.
“Kjo parti, kur ishte në opozitë, akuzonte qeveritë e mëparshme për korrupsion dhe bashkëpunim me Serbinë, por tani, në pushtet, ka treguar se është po aq e korruptuar. Vetë fakti që Kurti nuk shkarkon asnjë nga ministrat e përfshirë në skandale tregon për bashkëpunimin e tij me ta,” deklaroi Mustafa.
Ai shtoi se, sipas tij, kryeministri Kurti është “koka e korrupsionit” në këtë qeveri, pasi i mbron zyrtarët e akuzuar. Mustafa po ashtu akuzoi Grupin Parlamentar të Vetëvendosjes për bashkëpunim me Listën Serbe në disa çështje të rëndësishme ligjore dhe e kritikoi qeverinë për përplasjet me Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.
