Pavarësistët e venitur dhe Kolona e Pestë

Shkruan: Bajram MJEKU

Nëse dikush pyet se në cilën periudhë nuk do të dëshiroja të jetoj në Kosovë, pamëdyshje do të zgjidhja çerekshekullin e fundit. E them për shumë arsye, për të cilat nuk kisha vullnet të shkruaj, jo për ndonjë konsekuencë, por për të mos i dëshpëruar njerëzit që kanë bërë aq sa kanë mundur dhe aq sa kanë ditur për vendin.

Nëse dikush do të pyeste çfarë nuk do të falja kurrë dhe për asnjë çmim në këtë çerekshekull? Nuk do ta falja klasën politike, e cila bëri kompromise me djallin dhe i shqelmoi të gjithë ata njerëz që qëndruan në këtë vend dhe përtej mundësive të tyre ishin dalzotësit e tij.

Klasa politike, e cila me pasion vetëquhet “elitë”, i ofroi të gjithë kundërshtarët e pavarësisë së Kosovës dhe ndau pushtetin me ata, prandaj rinia dhe njerëzit e mirë të këtij vendi kanë marrë ikën për t’u larguar nga vendi i tyre, i cili përveç dëshpërimit, mungesës së perspektivës dhe depresionit kolektiv, nuk u dha asgjë tjetër gjatë këtij çerekshekulli!

Kundërshtarët e djeshëm të pavarësisë së Kosovës, veçanërisht gjatë dekadës së okupimit, jo gjithmonë kundër këtij vendi punuan dhe punojnë nën rrogoz! Natë e ditë punuan kundër ngrehinës së pavarësisë, natë e ditë tregtuan me regjimin serb dhe me fatin e njerëzve të këtij vendi. Natë e ditë njerëzit që provonin të vendosnin qoftë edhe një gur në murin e pavarësisë, i luftuan pa zgjedhur asnjë mjet.

Në çerekshekullin e fundit, Kolona e Pestë është më e përkëdhelura nga klasa politike në Kosovë. Janë të privilegjuar me pozita vendimmarrëse dhe janë fuqizuar materialisht, derisa pavarësistët mbetën nën tisin e mjegullës, edhe më keq se gjatë periudhës së okupimit…

Eunukët i shohim çdo ditë në sheshe e institucione, në agjenci e media, kudo dhe kurdo që mbërrijnë të shohin e ndjejnë shqisat tona. Ata e kanë kalitur durimin deri në masën sa mosdurimi ynë ka marrë ikën drejt Evropës, për të mos u kthyer kurrë. Kolona e Pestë po trashet e konsolidohet, derisa pavarësistët po treten e hollohen, sikur këta të fundit nuk kanë ekzistuar kurrë…

Në këtë çerekshekull, ndodhi pavarësimi i vendit dhe në këtë pikë nuk ekziston asnjë dilemë, por nuk duhet harruar një fakt. Asnjëherë në historinë e tyre, shqiptarët e Kosovës nuk ishin më të lirë se gjatë viteve 1941-’43. Shqiptarët hapën shkolla shqipe dhe kishin edhe xhandarmëri, derisa në institucionet e vendit valonte shkaba dykrenare dhe për herë të parë shkruhej e flitej shqip. Kosova ishte nën sovranitetin e Shqipërisë etnike dhe më shumë se kjo, kishte Ministrin e Punëve të Brendshme dhe Kryeministrin kosovar me seli në Tiranë! Një vit më vonë me shpejtësinë e dritës, gjërat u rrokullisën për keq dhe në kujtesën e shqiptarëve mbeti vetëm togfjalëshi emblematik “Tri vjet Shqipni!”.

Go to TOP