Pavarësia e Kosovës, e arritura më e madhe e shekullit!

Shkruan: Florim ZEQA

Shpallja e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, ishte kurorëzim i një rrugëtimi të gjatë dhe të vështirë me shumë sakrifica për qytetarët e Kosovës, ishte kurorëzim i përpjekjeve titanike të shumë gjeneratave, ishte kurorëzim i rezistencës së gjatë aktive paqësore dhe kurorëzim i luftës së lavdishme çlirimtare. 

Shpallja e vonuar e pavarësisë me bisht për Kosovën 

Qytetarët e Kosovës për vite dhe dekada i vuajtën pasojat e spastrimit etnik nga regjimi serb i Sllobodan Millosheviqit, gjë e cila rezultoi më një Luftë Çlirimtare (1998-99). Përfundimi i Luftës Çlirimtare të Kosovës u bë me vendosjen e trupave paqeruajtëse ndërkombëtare në Kosovë-KFOR.

Pas largimit të forcave militare dhe paramilitare serbe nga Kosova, sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit, Kosova paradoksalisht ende është protektorat i OKB-së dhe juridikisht në preambulën e Kushtetutës së Serbisë!

Siç dihet, në nëntor të vitit 2005 nisi zyrtarisht procesi për statusin përfundimtar të Kosovës. Pas konsultimeve gjithëpërfshirëse, më 2 shkurt të vitit 2007 i dërguari special ndërkombëtar për statusin e Kosovës, Martti Ahtisari, e dorëzoi propozimin e tij në Prishtinë dhe Beograd, për pavarësinë e kushtëzuar të Kosovës, hap që çoi drejt krijimit të shtetit te pavarur. Pasi u mbajtën disa raunde bisedimesh, Kosova u shpall e pavarur më 17 Shkurt të vitit 2008. 

Deklarata e Pavarësisë së Kosovës multietnike, gabimi më fatal i politikës kosovare 

Terminologjia diskriminuese e deklaratës e thotë se Pavarësia e Kosovës Multietnike është e kufizuar në parimet e përcaktuara nga Plani i Ahtisarit. Ajo ia ndalon Kosovës të bashkohet me çfarëdo vendi tjetër dhe i ofron vetëm kapacitete të kufizuara ushtarake, në të cilën thotë se Kosova do të jetë nën mbikëqyrje ndërkombëtare dhe parashikon mbrojtjen e minoriteteve etnike, minorancës serbe në veçanti.

Nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës së 17 Shkurtit 2008, duke e barazuar shumicën shqiptare me minoritetin serb, e kanë bërë gabimin më fatal dhe të papërmirësueshëm për të ardhmen e Kosovës.

Nga këtu fillon devijimi i vullnetit të qytetarëve dhe shkelja e gjakut të dëshmorëve për Kosovën shtet të lirë dhe të pavarur në kuptimin e plotë të fjalës, e jo si slogan politik.

Vendosja e flamurit lara-lara pa asnjë element kombëtar në Kuvend dhe himni pa tekst ishin paralajmërimet ogurzeza për të ardhmen e Kosovës!

Pak ka rëndësi kishte, kush do ta lexonte Deklaratën e Pavarësisë, e rëndësishme ishte përmbajtja e saj, e cila e përcaktoj Kosovën shtet multietnik!

Ngase, pikërisht nga termi multietnik fillojnë devijimet dhe deformimet e njëpasnjëshme të formës dhe përmbajtjes së shtetit të Kosovës. 

Liberalizimi i vonuar për qytetarët, me prapavijë të errët për Kosovën 

Sikurse shpallja e vonuar për nëntë vjet e pavarësisë së 17 Shkurtit 2008, edhe liberalizimi i vonuar erdhën me prapavijë të keqe dhe bisht të keq për Kosovën.

Përderisa multietniciteti ua mundësojë serbëve të gjitha të mirat e kësaj bote, filluar nga të drejtat e pakufizuara e deri në të drejtën e sovranitetit të dyfishtë brenda shtetit të Kosovës, edhe liberalizimi i vizave nën masat ndëshkimore nga bashkësia ndërkombëtare, rrezikon zbrazjen totale të Kosovës nga shqiptarët e getoizuar prej gjysmëshekulli!

Pavarësisht ndërrimit të shpeshtë të qeverive në Kosovën e pasluftës, jemi i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor, ku qytetarët nuk i gëzojnë drejtat elementare nga shteti siç janë: sigurimet shëndetësore, sigurinë në punë dhe as kontrata të rregullta në sektorin privat dhe atë publik.

Përderisa në sektorin publik punëtorët trajtohen si skllevër, në sektorin publik zyrtarët shtetërorë (në nivelin lokal dhe atë qendror) nuk ndjejnë siguri afatgjate në punë, për shkak se, pas çdo ndërrimi të pushtetit i rrezikojnë t’i humbasin vendet e tyre të punës. Gjë e cila nuk ndodh në asnjë shtet të lirë dhe demokratik. 

Pavarësisht kufizimeve dhe mangësive të sipërcekura, 17 Shkurti 2008 mbetet e arritura më e madhe e shekullit për shqiptarët dhe hapi më i madh drejt aspiratave të bashkimit etnik të shqiptarëve në Ballkan.

E gëzofshim për jetë e mot Republikën e Kosovës!

Go to TOP