Pasuria e kryetarëve të komunave që qeverisen nga LVV, prin Rahimaj i Kamenicës

Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK) ka publikuar sot regjistrat e deklarimit të pasurisë për zyrtarët e lartë publikë të Kosovës për vitin 2022.

Deklarimin e pasurisë janë të obliguar ta bëjnë edhe kryetarët e komunave.

Nga katër komunat, të cilat qeverisen nga Lëvizja Vetëvendosje, kryetari i Kamenicës del të jetë më i pasuri, derisa Shpejtim Bulliqi i Podujevës ka deklaruar më së paku pasuri.

Kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni ka deklaruar pasuri të përgjithshme në vlerë 691,270 euro ku përfshihen kryesisht troje e shtëpi të përbashkëta me familjen, derisa ka 3,500 euro obligime ndaj bankave.

Shpejtim Bulliqi i Podujevës ka pasuri të paluajtshme, të luajtshme e para të gatshme në vlerë prej 173,520 euro, derisa ka obligime financiare 4 mijë euro.

Kryetari i Shtimes, Qemajl Aliu ka një pasuri të konsiderueshme bashkë me familjen.

Shuma e pasurisë së përgjithshme të tij, ku përfshihen pasuria e luajtshme, paluajtshme, aksionet dhe paratë e gatshme në banka arrijnë vlerën e 960,908 euro.

Aliu ka një kredi prej 35,000 eurove që ka për obligim ta paguajë brenda shtatë viteve.

Kryetari i Kamenicës Kadri Rahimaj është më i pasuri prej kryetarëve të komunave që kanë ardhur nga LVV.

Rahimaj pasuri të përbashkët familjare ka deklaruar të ketë mbi një milionë euro (1,104,549).

Go to TOP