“Pastrimi” kundërpërgjigjet Ramës: Komuna po e dëmton financiarisht ndërmarrjen, borxhi arrin 2.7 milionë euro
Ndërmarrja Publike “Pastrimi” Sh.A. ka reaguar zyrtarisht ndaj deklaratave të fundit të Kryetarit të Kryeqytetit, Përparim Rama, lidhur me menaxhimin dhe gjendjen financiare të ndërmarrjes duke sqaruar se kriza aktuale financiare është pasojë direkte e moszbatimit të rregullores në fuqi nga vetë Komuna.
Në reagimin e publikuar, “Pastrimi” thekson se rregullorja e miratuar nga Kuvendi Komunal i Prishtinës përcakton qartë që pagesat për shërbimet e mbeturinave duhet të kryhen drejtpërdrejt në llogarinë e kompanisë. Por, sipas tyre, udhëzimet publike nga Komuna që qytetarët të mos paguajnë në ndërmarrje, por në institucionin komunal, kanë shkaktuar mungesë të të hyrave dhe pamundësi funksionimi që nga janari i këtij viti.
“Borxhet e papaguara për shkak të kësaj praktike të kundërligjshme kanë arritur në vlerën 2.7 milionë euro”, thuhet në reagim, ndërsa tregohet se më 2 maj 2025, drejtori ekzekutiv i “Pastrimit” i është drejtuar zyrtarisht Kryetarit Rama me kërkesë për zbatim të rregullores duke informuar edhe institucionet përkatëse.
Ndërmarrja ka hedhur poshtë edhe kritikat për menaxhimin e brendshëm duke theksuar se raporti i fundit i Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) e ka vlerësuar atë me “opinion të pamodifikuar”, që përfaqëson nivelin më të lartë të mundshëm të vlerësimit sipas standardeve ndërkombëtare të auditivit. Pasqyrat financiare të vitit 2024, sipas “Pastrimit”, tregojnë një rikthim nga humbjet në një bilanc pozitiv me 5% fitim bruto.
“Pastrimi” thekson se është i përkushtuar për administrim të përgjegjshëm, por në mungesë të mbështetjes institucionale dhe përballë moszbatimit të vendimeve të Kuvendit Komunal, përballet me vështirësi të mëdha për të kryer obligimet financiare.
Në fund, ndërmarrja shpreh gatishmërinë për bashkëpunim dhe kërkon respektim të vendimeve të miratuara duke bërë thirrje për zgjidhje institucionale dhe të qëndrueshme në interes të qytetarëve të Prishtinës. /Kosova.info/
