Pas ndërprerjes së ngrohjes nga “Termokosi”, Rama: Po e trajtojmë këtë çështje me seriozitet

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar pas ndërprerjes së ngrohjes nga “Termokosi”, duke thënë se Komuna e Prishtinës po e trajton këtë çështje me seriozitet dhe do të ndërmarrim të gjithë hapat e nevojshëm.

Rama ka thënë se me shqetësim e ka marrë informatën për ndërprerjen e ngrohjes për qytetarët e Prishtinës, të cilët kanë qasje në ngrohjen termike të “Termokosit”.

Kryetari i Prishtinës ka thënë se është në komunikim të vazhdueshëm me institucionet përkatëse për zgjidhjen e situatës së krijuar.

“Ndërprerja e ngrohjes qendrore në Prishtinë, ka ardhur si pasojë e avarive në njësinë B1 të KEK-ut. Kam marrë siguri se kjo çështje do të rregullohet deri nesër”, ka shkruar Rama në një postim në Facebook.

“Duke ju kërkuar mirëkuptim, ju siguroj se Komuna e Prishtinës po e trajton këtë çështje me seriozitet dhe do të ndërmarrim të gjithë hapat e nevojshëm që varen nga ne”, ka thënë ai, transmeton Telegrafi.

“Termokos” ka njoftuar sot konsumatorët se për shkak të pamundësisë për t’u furnizuar me avull nga KEK-u, janë të detyruar që të ndërpresim furnizimin me ngrohje për gjithë konsumatorët.

“Termokos” njofton se aktualisht, me ngrohje janë duke u furnizuar vetëm klinikat e QKUK-së nëpërmes ngrohtores, që gjendet në hapësirat e kësaj qendre spitalore.

Ndërsa”Termokos njofton se ka ndërprerë furnizimin me ngrohje për shkak të pamundësisë për t’u furnizuar me avull nga Korporata Energjetike e Kosovës.

Kjo e fundit ka reaguar duke thënë se, sipas planeve njësia B1 pritet të kthehet në prodhim nesër në mëngjes, kur edhe do të krijohen kushtet për furnizimin e “Termokosit” me avull për ngrohje qendrore.

Këshilli për Mbrojtjen e Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka reaguar pas ndërprerjes së ngrohjes për qytetarët e Prishtinës nga “Termokosi”, duke e vlerësuar si një veprim të papërgjegjshëm dhe të dënueshëm.

Go to TOP