Pas ndalimit të veturës për shkelje të rregullave në trafik, policët filmohen duke marrë ryshfet

Dy inspektorë të trafikut në Durrës akuzohen për korrupsion pasi i morën ryshfet një qytetareje ndërsa ishin në detyrë.

Inspektorët E. S. dhe S.S. me detyrë Inspektor i Trafikut Urban dhe Interurban pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës akuzohen për veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”; Kurse qytetarja I.H. akuzohet për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Sipas policisë, Drejtoria Rajonale AMP Durrës është vënë në dijeni të një videoje të publikuar në rrjetet sociale ku një person i paidentifikuar denoncon me pamje filmike një rast të kontrollit të një drejtueseje mjeti, kryer nga dy punonjës policie dhe në video dyshohet për mitmarrje nga punonjësit e policisë.

Njoftimi i plotë

Drejtoria Rajonale e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore Durrës referoi materialet proceduriale pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqesor Durrës për punonjësit e policisë:

Inspektor E. S. me detyrë Inspektor i Trafikut Urban dhe Interurban pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, i dyshuar se ka konsumuar elementët e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”;

Inspektor S. S. me detyrë Inspektor i Trafikut Urban dhe Interurban pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, i dyshuar se ka konsumuar elementët e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”;

Shtetasja I.H., e dyshuar se ka konsumuar elementet e veprës penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”

Materialet u referuan pasi në datë 16.01.2023 Drejtoria Rajonale AMP Durrës është vënë në dijeni të një video të publikuar në rrjetet sociale ku një shtetas i paidentifikuar denoncon me pamje filmike një rast të kontrollit të një drejtuese mjeti, kryer nga dy punonjës policie, dhe në video dyshohet për mitmarrje nga punonjësit e policisë

Nga tërësia e veprimeve të para hetimore të kryera, ngrihen dyshime të arsyeshme se punonjësit e policisë kanë komnsumuar elementët e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal, ndërsa shtetasja I. H., dyshohet se ka konsumuar elementët e veprës penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” të parashikuar nga neni 244 i Kodit Penal.

Ndërkohë Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit ka nisur hetimin disiplinor për 2 punonjësit e Policisë.

AMP falënderon mediat për bashkëpunimin dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 90 90.

Go to TOP