Partia e kryeministrit britanik humb zgjedhjet në një zonë elektorale që dominuan për 200 vjet

Konservatorët e Boris Johnsonit kanë humbur kontrollin e një zone elektorale në dhomën e ulët të parlamentit që ata e kanë dominuar për gati 200 vjet pasi votuesit janë kthyer kundër kryeministrit britanik për një sërë krizash dhe skandalesh.

Humbja do të rrisë presionin mbi të parin e qeverisë britanike brenda partisë së tij dhe do të përforcojë frikën e shprehur publikisht dhe privatisht se reputacioni i partisë po vuan nën udhëheqjen e tij.

Kandidatja Liberal Demokrate, Helen Morgan fitoi një vend në North Shropshire në zgjedhjet e pjesshme. Ajo fitoi me një avantazh prej gjashtëmijë votash pasi konservatorët kishin korrur fitore dërrmuese në zgjedhjet e mëparshme, në vitin 2019, me një avantazh prej 23 mijë votash, raporton skynews.

Konservatorët kanë fituar të gjitha zgjedhjet e mëparshme për këtë zonë kryesisht rurale të Anglisë qendrore që nga krijimi i kësaj zone në formën e saj aktuale në 1983 ndërsa historikisht konservatorët kanë dominuar rajonin për gati 200 vjet.

Kjo është një goditje e re për Johnsonin, i cili tashmë po kritikohet shumë, duke përfshirë edhe raportimin e organizimit të një ndeje gjatë kremtimit të Krishtlindjet të vitit të kaluar, kur vendi ishte në bllokim total shkaku i masave kundër coronavirusit.

North Shropshire mbrojti BREXIT dhe ishte një bastion i konservatorëve. Analistët thonë se humbja e rëndë e Partisë Konservatore do të dëmtojë më tej autoritetin e Johnson mbi ligjvënësit, disa prej të cilëve tashmë janë publikisht kundër planeve për të futur certifikata COVID-19. 

Go to TOP