Parku i Biznesit Drenasi II, një hap më afër finalizimit

Komuna e Drenasit ka njoftuar se është mbajtur debati i radhës lidhur me procedurat drejtë jetësimit të Parkut të Biznesit II në Drenas.

Me ç’rast përfaqësuesit nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, me përfaqësues nga komuniteti i biznesit, qytetarë dhe akterë të jetës publike në Drenas, kanë dhënë komentet e tyre mbi Strategjinë Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis, si një hap tjetër drejt plotësimit të dokumentacionit rreth finalizimit të Parkut të Biznesit Drenasi II.

Sipas njoftimit drejtori i Drejtorisë për Planifikim Urban dhe Mbrojtje të Mjedisit, Petrit Gashi dhe përfaqësuesi nga MINT, Nol Buzhala, informuan të pranishmit për vazhdimin e procedurave dhe kohën e fillimit të punimeve në Parkun e Biznesit.

Më tutje thuhet se ata kërkuan nga të gjithë të interesuarit që deri më 20 Prill 2024, të dërgojnë komentet e tyre lidhur me Strategjinë e Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis si një hap tjetër që Komuna e Drenasit dhe MINT, të vazhdojnë tutje jetësimin e këtij projekti me rëndësi për komunën e Drenasit dhe ekonominë e Kosovës.

Në nëntor të vitit të kaluar është mbajtur debati i parë publik me qytetarë, biznese, grupe të interesit, ku janë njoftuar të pranishmit për krijimin e Parkut Industrial 2 në Drenas.

“Parku Industrial II në Drenas ndodhet përballë Parkut ekzistues të Biznesit. Në bazë të analizave fillestare mund të konstatohet se në Parkun Industrial II mund të vendosen rreth 40 biznese në variantin e parë, apo deri në 78 biznese në variantin e dytë të cilat do gjenerojnë rreth 800 vende të reja të punës”, thuhet në njoftim. /Kosova.info/

Go to TOP