Paralajmërim për erëra të forta në Kryeqytet – Këshilla për sigurinë e qytetarëve
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka paralajmëruar se nga mëngjesi i së dielës, 25 janar 2026, në Kryeqytet dhe rrethinë priten erëra me intensitet mesatar deri të fortë, veçanërisht në zonat lindore dhe ato kodrinore-malore. Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar dhe të zbatojnë masat e thjeshta parandaluese për të shmangur rreziqet e mundshme.
Komunikata e plotë:
Njoftim për qytetarët e Kryeqytetit
Bazuar në paralajmërimin e Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, nga mëngjesi i ditës së diel, 25 janar 2026, pritet të ketë erëra të intensitetit mesatar deri të fortë, të cilat do të jenë më të theksuara në zonat lindore dhe ato kodrinoro-malore.
Shpejtësia e erës
• Zona kodrinoro-malore: 11–14 m/s (erë e fortë)
• Zona më të ulëta: 8–11 m/s (erë mesatarisht e fortë)
Sipas parashikimeve, erërat pritet të dobësohen nga mëngjesi i së hënës, 26 janar 2026.
Udhëzime dhe këshilla për qytetarët
Pa krijuar panik, ftojmë qytetarët të tregojnë kujdes të shtuar dhe përgatitje të thjeshtë, veçanërisht gjatë ditës së diel:
• Siguroni ose largoni objektet e lehta në ballkone, oborre apo çati (vazo, reklama, panele të përkohshme).
• Tregoni kujdes gjatë qarkullimit në zona me pemë të larta, tabela reklamuese apo objekte ndërtimore.
• Shmangni qëndrimin e panevojshëm në hapësira të hapura gjatë intervaleve me erë më të fortë.
• Drejtuesit e automjeteve, veçanërisht të mjeteve të larta, të lëvizin me kujdes të shtuar.
• Nëse vëreni rrezik potencial (degë të rëna, objekte të lëvizshme, dëmtime), njoftoni shërbimet kompetente.
Në raste emergjente, qytetarët mund të kontaktojnë numrat: 0800 122 44 ose 0800 122 33.
Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca e Kryeqytetit do të jetë në gatishmëri të vazhdueshme dhe do të informojë qytetarët nëse ka zhvillime të reja.
Qëndroni të informuar, tregoni kujdes dhe bashkëpunim. /Kosova.info/
