Papa puth një flamur ukrainas të sjellë nga Bucha: Në vend të lajmeve për shpresë, dëgjuam për mizori

Papa Françesku ka dënuar masakrën në Bucha dhe ka puthur një flamur ukrainas gjatë shërbimit të tij në Vatikan.

“Lajmet e fundit nga lufta në Ukrainë, në vend që të sjellin lehtësim dhe shpresë, sollën mizori të reja, si masakra e Buçës. Mizori që është gjithnjë e më e tmerrshme, madje edhe kundër civilëve, grave dhe fëmijëve të pambrojtur”, ka thënë Papa, shkruan Reuters.

Të martën në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky akuzoi ushtrinë ruse për kryerjen e krimeve më të rënda që nga Lufta e Dytë Botërore. Nga ana tjetër, Kremlini ka thënë se nuk ka asnjë provë që trupat ruse kanë kryer mizoritë për të cilat janë akuzuar.

Papa Françesku shpalosi një flamur ukrainas që ai tha se i ishte sjellë nga Bucha dhe e mbajti lart për audiencën, e cila shpërtheu në duartrokitje.

Ai më pas i kërkoi një grupi fëmijësh refugjatësh që mbërritën të martën nga Ukraina që t’i afroheshin.

“Këta fëmijë duhej të iknin për të mbërritur në një tokë të sigurt. Ky është fryti i luftës. Le të mos i harrojmë ata dhe të mos harrojmë popullin ukrainas,” tha ai, përpara se t’i jepte secilit fëmijë një dhuratë me vezë çokollate të Pashkëve.

Go to TOP