Pal Shtufi propozon Blerim Shalën për President të Kosovës

Publicisti Pal Shtufi ka reaguar në lidhje me diskutimet e fundit në Prishtinë për presidentin e ardhshëm të Kosovës duke shprehur hapur qëndrimin e tij se emrat që aktualisht po përmenden në opinion nuk janë të përshtatshëm për postin e të parit të shtetit.

Në një shkrim publik, Shtufi thekson se, megjithëse në qarqet politike dhe publike po qarkullojnë disa emra, asnjëri prej tyre, sipas tij, nuk i plotëson kriteret e duhura për të qenë president i Kosovës. Në këtë kontekst, ai ka paraqitur propozimin e tij personal duke e cilësuar si figurë serioze dhe të denjë për këtë post.

Sipas Shtufit, kandidati që i plotëson këto kritere është Blerim Shala, aktualisht Këshilltar i Jashtëm për Dialog. Ai e përshkruan Shalën si burrë të ditur, të sprovuar dhe me përvojë të lakmueshme, si brenda ashtu edhe jashtë vendit. Shtufi kujton se Shala ka qenë pjesë e delegacionit të Kosovës në Rambuje, në Procesin e Vjenës, si dhe bashkëpunëtor i presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugova.

Publicisti vë në pah edhe profilin intelektual të Shalës duke theksuar se ai është filozof, gazetar dhe autor, me angazhim të vazhdueshëm në skenën politike që nga viti 1988. Sipas tij, kjo e bën Shalën figurë ekuilibruese dhe të pranueshme për shumicën e qytetarëve të Kosovës, pavarësisht orientimit të tyre politik apo ideologjik.

“Blerim Shala është në detyra shtetërore që nga çlirimi i Kosovës dhe është figurë e njohur dhe e pranuar edhe në skenën ndërkombëtare,” shkruan Shtufi duke shtuar se përvoja e tij dhe kontaktet me personalitete të rëndësishme ndërkombëtare përbëjnë një avantazh të madh për një president të Kosovës.

Në fund të reagimit të tij, Pal Shtufi u bën thirrje edhe të tjerëve që të propozojnë kandidatë duke nxitur debat publik për figurën që do ta udhëheqë shtetin në mandatin e ardhshëm presidencial. /Kosova.info/


Go to TOP