Pagat e sektorit publik dolën në orët e pasdites, ngjalli reagime të shumta

Pagat e punëtorëve të sektorit publik dolën në orët e pasdites, megjithatë kjo vonesë ka ngjallur reagime të shumta si nga partitë opozitare, por edhe nga sindikatat e punëtorëve që janë në vend.

Mbi 80 mijë zyrtarë publikë që paguhen nga buxheti i shtetit, nuk i kanë marrë pagat e muajit shtator me kohë.

Kjo pasi ushtruesit të detyrës së drejtorit të përgjithshëm të Thesarit, i ka skaduar mandati. Kjo ka shqetësuar edhe punonjësit në sektorin e arsimit.

“Zakonisht dalin dy ose tre ditë para fillimit të muajit. Sot është data 1 nuk kanë dalë ende. Sipas informative që qarkullojnë, uroj që sot të ekzekutohen, uroj që mos të përsëriten situata të tilla sepse kemi shumë staf që kanë obligime, presin një pagë, i kanë gjërat e programuara”, tha paraditën e së martës, Visar Osmani, drejtor i shkollës fillore “Emin Duraku”.

Sindikata e Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë dhe ajo e Shëndetësisë, si dhe BSPK-ja, përmes një reagimi kanë thënë se mosekzekutimi me kohë i pagave për muajin shtator, shkakton efekte negative financiare te punëtorët.

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, tha se për mosekzekutimin e pagave, shkarkimi i ministrit të Financave, Hekuran Murati, duhet të jetë i pashmangshëm.

Ndërsa ish-ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, kritikoi këtë ministri për shkelje të ligjit, duke e caktuar përtej afatit ligjor një ushtrues detyre në Thesar për procedimin e pagave.

Për këtë çështje është thirrur seancë e jashtëzakonshme nga AAK-ja, për ta mbajtur përgjegjëse qeverinë.

Neni 35 i ligjit për zyrtarët publikë tregon se askush nuk mund të caktohet ushtrues detyre më shumë se një vit.

Kurse në paragrafin 5 thuhet se çdo vendim i ushtruesit të detyrës, pas kalimit të afatit të përcaktuar në paragrafin 3, është i paligjshëm.

Ndërkohë, në orët e pasdites është bërë ekzekutimi i pagave për sektorin publik, pasi siç u raportua, është emëruar ushtruesi i ri i detyrës për pozitën e drejtorit të Thesarit.

RTK gjatë ditës ka provuar të marrë një përgjigje nga Ministria e Financave lidhur me këtë çështje, por të njëjtit nuk janë përgjigjur.

Go to TOP