Pacolli për qeverisjen e Kurtit: Ka dështuar, të fokusohet në përmirësimin e standardit jetësor

Për qeverisjen e Kurtit ka folur edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, njëherit kryetar i AKR-së, Behgjet Pacolli. Pacolli, për Front Online ka thënë se kjo qeveri ka dështuar si në përmbushjen e premtimit patriotik e edhe në atë ekonomik.

“Mungesa e vizionit, eksperiencës dhe strategjisë e ka bërë atë të dobët, duke u fokusuar kryesisht në qeveri te pakuptimtë. Pjesëtarët e kësaj qeverie kanë marrë rrogat e tyre pa bërë ndonjë përparim në ngritjen ekonomike ose standardin jetësor. Madje, projektet e filluara më parë kanë mbetur në vend, ndërsa mungesa e kreativitetit dhe përkujdesjes për qytetarin, mirëqenien ekonomike dhe ambientin është shfaqur qartë në paaftësinë e saj”, ka thënë Pacolli.

Pacolli, ka folur edhe për siç ka thënë ai ndërhyrjet e panevojshme të qeverisë në ekonomi, qoftë në atë private apo edhe publike.

“Ideologjia intervenuese e zotit Kurti i ka sjellë ndërmarrjet publike në një gjendje të mjerueshme. Sa i përket kreativitetit, kjo qeveri nuk ka asnjë kreativitet as ndjenja e as vullnet për ngritjen e imazhit të vendit. Punët e mira bëhen nga detajet e vogla! Shikoni ne çfarë gjendje janë rrugët tona, në çfarë gjendje është ambienti ynë, çdo gjë shkatërrohet përreth nesh e nga kjo  qeveri nuk ka asnjë veprim për të parandaluar këtë… pra mungesë totale të interesit për pune dhe prosperitet”, është shprehur ndër të tjera ai.

Go to TOP