Akademi Përkujtimore për Adriana Abdullahun në 25-vjetorin e vrasjes së saj

Në fjalën e tij dedikuar humbjes së Adriana Abdullahut, e cila sot 25 vite më parë, u vra nga të shtënat e forcave serbe në Prishtinë, Kryeministri i Republikës, Albin Kurti në Akademinë Përkujtimore të organizuar nga Zyra e Kryeministrit në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar të Kosovës, kujtoi talentin e saj të rrallë, përkushtimin e palëkundur për edukimin dhe kapacitetin e saj të pashoq në aktrim, vlera të cilat asaj edhe ia dhanë nofkën “Engjëlli i Dodonës”. 

“Pa provokim, pa asnjë arsye u sulmua arti i Kosovës, u sulmuan artistët tanë. Në këtë mes tragjikisht humbëm Adrianën tonë. Por jo edhe magjinë e saj. Magjia e Adrianës jeton mes nesh dhe vazhdon të na frymëzojë”, u shpreh kryeministri duke theksuar se koha, shoqëria, veprat e saj, si dhe udhëheqja politike e Republikës së Kosovës nuk do të lejojnë shuarjen e shpirtit të saj. 

Jehonë të pazëvendësueshme, e quajti kryeministri vrasjen e padrejtë të Adrianës nga lufta e agresorit, e cila u qëllua mbi rrethanën e saj shoqërore e festive, ndonëse ajo dhe jeta e saj do të jenë përjetshëm në vendin e rezistencës dhe flakës së ndezur për jetë dhe liri në vendin tonë. 

“Gjeneratat e reja, duhet të kenë mundësinë e njohjes së shembujve të mirë, të dëshirës dhe të dashurisë së pareshtur për të krijuar edhe në kohërat më të vështira edhe në kushtet më të rrezikshme. Ky është mësimi më i madh që na jep Adriana, ende edhe pas 25 vitesh që nuk ndodhet fizikisht me ne”, shtoi tutje ai. 

“I përjetshëm e përherë i ri qoftë kujtimi për të!” tha kryeministri.  

Në emër të familjes së Adrianës, foli motra e saj, Drita Abdullahu, e cila pasi falënderoi të gjithë ata që me përkushtimin tyre po mbajnë gjallë kujtimin për Adrianën, tha se humbja e saj është një plagë, që vazhdon e kullon dhembje.  

“Me energjinë, që e karakterizonte gjithmonë, Adriana më tregonte për teatrin “Dodona”, Teatrin Kombëtar, që ishin nën masat e dhunshme nga regjimi, udhëtimet me kolegët anekënd vendit me shfaqjet e tyre”, tha ajo, duke theksuar se sa herë fliste me Adrianën në telefon, gjithmonë i krijonte përshtypjen se i lajmërohej nga një vend plotësisht normal. 

Në këtë akademi përkujtimore, kryeministri Kurti përmendi faktin se institucionet e Republikës së Kosovës po përkujdesen vazhdimisht dhe fuqimisht për të siguruar, që figurat tona të artit dhe kulturës të nderohen.  

“Ne do të angazhohemi në mënyrë sistematike që puna e tyre, që është kontribut shoqëror të dokumentohet dhe të arkivohet. Që të përkujtohet trashëgimia që kanë lënë pas, që të zhvillohet dhe të jetë e qasshme për gjeneratat e reja, për ata që do të vijnë pas nesh”, tha ai. 

Kjo akademi përkujtimore është organizuar nga Zyra e Kryeministrit në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar të Kosovës. Të pranishëm ishin familjarë e shoqëri e afërt e Adrianës, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, deputetë të Kuvendit të Republikës, udhëheqës të Teatrit Kombëtar, dhe pjesëtarë të komunitetit të gjerë artistik. /Kosova.info/

Go to TOP