Pacolli ngushëllon familjen Thaçi: Haxhi Thaçi përballoi me krenari sfidat e padrejta

Ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka shprehur ngushëllimet e tij për ndarjen nga jeta të Haxhi Thaçit, babait të ish-presidentit Hashim Thaçi.

Përmes një reagimi publik, Pacolli ka shprehur keqardhjen për këtë humbje, duke vlerësuar figurën e Haxhi Thaçit si një njeri që ka përballuar sfida të mëdha me krenari dhe forcë.

“Sapo mora lajmin e hidhur se Haxhi Thaçi, babai i Presidentit Hashim Thaçi, ka ndërruar jetë. Zoti e bekoftë dhe e shpërbleftë me xhenet të ndjerin. Në emrin tim dhe të familjes sime, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta Presidentit dhe gjithë familjes Thaçi për këtë humbje të madhe,” ka shkruar Pacolli.

Ai gjithashtu ka theksuar se Haxhi Thaçi e ka përjetuar me dhimbje burgosjen e djalit të tij, duke e konsideruar atë një padrejtësi ndaj një njeriu që ka kontribuar për lirinë dhe shtetin e Kosovës.

Haxhi Thaçi ndërroi jetë sot, duke lënë pas familjen dhe të afërmit në zi për humbjen e tij. /Kosova.info/


Go to TOP