Osmani uron Shqipërinë për hapjen e grupkapitujve të fundit me BE-në

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar presidentin shqiptar, Bajram Begaj dhe kryeministrin, Edi Rama si qytetarët e Shqipërisë për hapjen e pesë kapitujve të fundit të negociatave me BE-në.

Osmani këtë e ka quajtur hap historik që sipas saj, dëshmon angazhimin e Shqipërisë drejt integrimit evropian.

 “Urime Presidentit Bajram Begaj, kryeministrit Edi Rama dhe qytetarëve të Shqipërisë për hapjen e pesë kapitujve të fundit të negociatave me BE-në, një hap historik që dëshmon angazhimin e jashtëzakonshëm të Shqipërisë drejt integrimit evropian. Ky është një hap që i sjell qytetarët e Shqipërisë, si dhe rajonin tonë, edhe më pranë Bashkimit Evropian. Qytetarët e Kosovës festojnë sot bashkë me ju, teksa vazhdojmë të punojmë pandalur për ta avancuar edhe më tej rrugën e vendit tonë drejt BE-së”, ka shkruar në urimin e saj, Osmani në urimin e saj për Shqipërinë.

Për pak më shumë se një vit, Shqipëria ka hapur të gjithë grupkapitujt në negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Evropian.

Shqipëria nisi këtë rrugëtim në fund të shtatorit të vitit të kaluar dhe, me këtë ritëm rekord, së bashku me Malin e Zi konsiderohet lidere në procesin e anëtarësimit. /Kosova.info/


Go to TOP