Osmani e Rexha takojnë Akademik Noel Malcolm në Londër për bashkëpunim shkencor

Gjatë qëndrimit në Londër për hulumtime shkencore në “The National Archives” të Mbretërisë së Bashkuar dhe në British Library, Prof. Dr. Jusuf Osmani dhe Prof. Dr. Iljaz Rexha patën një takim të rëndësishëm me historianin e njohur britanik, Prof. Akademik Noel Malcolm.

Në këtë takim, Prof. Osmani e informoi akademikun Malcolm për ecurinë e hulumtimeve rreth vendbanimeve dhe popullsisë së Kosovës duke ndarë me të disa nga botimet e tij shkencore. Takimi u zhvillua në një atmosferë miqësore dhe bashkëpunuese, ku u diskutua për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit akademik dhe shkëmbimit të njohurive ndërinstitucionale.

Prof. Malcolm, i njohur për veprën e tij monumentale “Kosova: Një histori e shkurtër”, u shpreh i interesuar për rezultatet e hulumtimeve që po zhvillohen në arkivat britanike, dhe falënderoi për ftesën e ardhur nga kolegët kosovarë duke bërë të ditur se kishte ardhur posaçërisht nga Oksfordi për këtë konsultim.

Në takim morën pjesë gjithashtu Prof. Dr. Shyqri Haxha, profesor në Universitetin e Londrës, nipi i Prof. Osmanit, eksperti i teknologjisë informative Xhelal Kurshumliu, si dhe afaristja Albana, reja e tij.

Takimi përforcon lidhjet ndërmjet studiuesve shqiptarë dhe atyre britanikë në drejtim të ndriçimit shkencor të së kaluarës historike të Kosovës dhe rajonit. /Kosova.info/


Go to TOP