Osmani kërkon mbështetjen e SHBA-së për anëtarësimin e Kosovës në NATO
Presidentja e shtetit, Vjosa Osmani ka thënë se ishte kënaqësi ta mirëpriste sot Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Mbrojtjes së SHBA-ve, David A. Baker. Presidentja Osmani ka thënë se kur Amerika qëndron përkrah nesh, Kosova është më e fortë, më e sigurt dhe më e zhvilluar.
Pas takimit që përfundoi pa deklarime para mediave, Osmani ka shkruar se Kosova mbetet e përkushtuar për thellimin e bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara në fushën e mbrojtjes, përfshirë edhe në industrinë e mbrojtjes, si një mundësi me përfitime të ndërsjella për të dyja shtetet.
Gjithashtu e para e shtetit ka thënë se anëtarësimi i Kosovës në NATO është një objektiv strategjik dhe mbështetja e SHBA-ve në këtë proces është jetike.
“Kënaqësi ta mirëpres sot Zv. Ndihmës Sekretarin e Mbrojtjes së SHBA-ve, David A. Baker. Kur Amerika qëndron përkrah nesh, Kosova është më e fortë, më e sigurt dhe më e zhvilluar. Kosova mbetet e përkushtuar për thellimin e bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara në fushën e mbrojtjes, përfshirë edhe në industrinë e mbrojtjes, si një mundësi me përfitime të ndërsjella për të dyja shtetet. Anëtarësimi i Kosovës në NATO është një objektiv strategjik dhe mbështetja e SHBA-ve në këtë proces është jetike”, ka shkruar Osmani.
Detaje rreth bisedave në takim mes Osmanit si shefe shtetit e zyrtarit të lartë amerikan, Baker, ka ndarë edhe Zyra Presidenciale. Në njoftim thuhet se presidentja Osmani i ka treguar mysafirit me pozitë të lartë në Shtetet e Bashkuara se Kosova po ndërton një forcë moderne të sigurisë sipas standardeve të NATO-s dhe se partneriteti me SHBA-në është thelbësor për paqen dhe stabilitetin në rajon.
“Në këtë kuadër, Presidentja Osmani nënvizoi se anëtarësimi i Kosovës në NATO është jo vetëm synim strategjik i shtetit, por një domosdoshmëri për arkitekturën e sigurisë në rajon. Ajo theksoi se Kosova është gati të kontribuojë si aleate e besueshme dhe ta përmbush objektivin për shpenzime në mbrojtje në kohë rekord, duke shtuar se mbështetja e SHBA-ve, në këtë synim për anëtarësim është jetike. Ajo potencoi se prania ushtarake amerikane në Kosovë u shërben drejtpërdrejt interesave strategjike të SHBA-së në Ballkanin Perëndimor dhe se bashkëpunimi në industrinë e mbrojtjes paraqet një mundësi të re për investime të përbashkëta, në dobi të të dyja vendeve”, thotë njoftimi i zyrës së Osmanit.
Më tej, thuhet se është diskutuar edhe bashkëpunimi në fushën e industrisë ushtarake ku presidentja Osmani ka shtruar nevojën e thellimit të bashkëpunimit në këtë fushë, duke theksuar se Kosova ka potencial në fushën e prodhimit ushtarak me mbështetjen e SHBA-së dhe kompanive të ndryshme amerikane që mund të jenë të interesuara në këtë drejtim.
“Presidentja Osmani potencoi se partneriteti strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është shtylla kryesore për të garantuar stabilitetin afatgjatë në Ballkanin Perëndimor”, njofton Zyra për Media e Presidentes, Osmani.
Pas Presidencës së Republikës, Baker është pritur me nderime të larta nga ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqdonci. /Kosova.info/
