Osmani: Është e rëndësishme që të ulen tensionet në terren në veri të Kosovës

Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, tha se sa më i shpejt të jetë integrimi në Bashkimin Evropian aq më i madh do të jetë përparimi i shteteve.

Osmani i cili në cilësinë e kryesuesit të OSBE-së po qëndron për vizitë në Kosovë,tha se OSBE-ja e mbështet dialogun Kosovë-Serbi duke u bërë thirrje dy shteteve që të ecin përpara.

“Është kyçe për ne që të kalojmë në faqen tjetër dhe të shohim të ardhmen së bashku. Tentimet për bashkëpunim rajonal duhet të jenë të afërta. Dialogu gjithmonë në rajon ka qenë i frytshëm. Në Maqedoninë e Veriut na ka ofruar mënyrë të mirë për të ecur përpara, pavarësisht sfidave”, tha ai.

Në një konferencë për medie pas takimit me ministren e Jashtëm të Kosovës, Donika Gërvalla, Osmani ka thënë se është e rëndësishme që të ulen tensionet në veri të Kosovës në mënyrë që dialogu të vazhdojë përpara.

“Ne e mbështesim këtë proces që kontribuon në stabilitetin rajonal. Siç e kam thënë edhe në Serbi, është e rëndësishme që të ulen tensionet në terren në veri të Kosovës, që t’i jepet hapësirë procesit politik të dialogut. OSBE-ja është e gatshme të mbështesë zbatimin e marrëveshjeve të arritura brenda dialogut”, ka thënë ai.

Osmani ka shtuar se institucionet e Kosovës duhet të bazohen në OSBE-në si burim kyç në dizajnimin dhe implementimin e reformave.

Osmani do të takoj edhe presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.

Go to TOP